--:--
--:--

Prof. Dr. Marta Muço dhe Ilir Ciko: Modeli aktual i zhvillimit nuk po rindërton sektorët strategjikë të ekonomisë

Shqipëria ka kaluar 35 vite tranzicion, ka konsoliduar ekonominë e tregut, është integruar në zinxhirët ndërkombëtarë të tregtisë dhe ndodhet pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Megjithatë, sipas Prof. Dr. Marta Muços dhe Ilir Cikos, vendi ende nuk ka artikuluar qartë identitetin e tij ekonomik. Problemi nuk është mungesa e një identiteti, por fakti se avantazhet konkurruese të Shqipërisë nuk janë shndërruar në mënyrë sistematike në kapacitete prodhuese, produkte me vlerë të shtuar dhe marka konkurruese. Në studimin e tyre mbi identitetin ekonomik kombëtar, autorët nisen nga pyetja themelore “çfarë prodhon kombi?”. Struktura e eksporteve shqiptare tregon një ekonomi ende të mbështetur kryesisht te aktivitete me kompleksitet të ulët. Në vitin 2024, tekstilet dhe këpucët në regjimin fason përbënin 28.7% të eksporteve, mineralet, lëndët djegëse dhe energjia 21.4%, ndërsa materialet e ndërtimit dhe metalet e papërpunuara 18.9%. Në total, rreth dy të tretat e eksporteve të mallrave lidhen me produkte me kompleksitet të ulët ose negativ, ndërsa makineritë dhe pjesët e këmbimit zinin vetëm 8.9%. Kjo strukturë reflektohet edhe në renditjen ndërkombëtare: Shqipëria renditet e 81-ta në botë për kompleksitetin ekonomik dhe e fundit në rajon. Sipas Cikos, elementi që po përcakton më fort ekonominë shqiptare nuk është një produkt specifik, por “renta e territorit”. Bregdeti, toka, klima dhe pozicioni gjeografik po shndërrohen në të ardhura kryesisht përmes ndërtimit, turizmit sezonal dhe remitancave. Ky model, argumenton ai, ndryshon nga një ekonomi që ndërton avantazh konkurrues përmes aftësive, teknologjisë, institucioneve dhe zinxhirëve të furnizimit. Shqipëria nuk shet vetëm atë që prodhon, por në një masë të konsiderueshme shet aksesin ndaj territorit të saj. Për këtë arsye, një nga boshllëqet më të rëndësishme është hallka institucionale midis prodhuesit dhe tregut: standardet, certifikimet, magazinimi, markat, menaxhimi i zinxhirit të ofertës dhe mekanizmat që e kthejnë një produkt lokal në aktiv ekonomik. Një shembull domethënës është mbrojtja e origjinës. Ende asnjë produkt shqiptar nuk është regjistruar në regjistrin eAmbrosia të Bashkimit Evropian, ndërsa më shumë se 1,600 produkte evropiane me origjinë të mbrojtur gjenerojnë vlerë të konsiderueshme në treg. Për Muçon dhe Cikon, kjo tregon se Shqipëria nuk ka shfrytëzuar ende plotësisht potencialin e identitetit territorial për të ndërtuar marka dhe produkte me vlerë të lartë. Muço e vendos këtë problem në kontekstin e tranzicionit. Me ndryshimin e sistemit ekonomik në fillim të viteve ’90, industria shqiptare pothuajse u zhduk, ndërsa ekosistemi prodhues – punonjësit e kualifikuar, furnitorët dhe institutet teknike – u fragmentua. Turizmit iu deshën më shumë se dy dekada për të zënë një pjesë të rëndësishme të hapësirës së lënë nga industria dhe prodhimi bujqësor i fragmentuar. Për të, çështja nuk është nëse Shqipëria duhet të zgjedhë mes turizmit, bujqësisë apo industrisë. Problemi është nëse këta sektorë lidhen me njëri-tjetrin dhe ngjiten në zinxhirin e vlerës. Turizmi, për shembull, mund të shërbejë si treg për agropërpunimin premium, markat territoriale dhe produktet shqiptare, ndërsa më pas këto produkte mund të eksportohen. Përndryshe, turizmi rrezikon të mbetet kryesisht një rentë sezonale. Autorët shohin një rrezik të ngjashëm edhe te teknologjia. Eksportet e shërbimeve IT arritën rreth 221.5 milionë euro në vitin 2024, me rreth 22–24 mijë të punësuar. Por një pjesë e konsiderueshme e punësimit lidhet me call-center dhe BPO të nivelit të parë, aktivitete që mund të ekspozohen ndaj zëvendësimit nga inteligjenca artificiale. Sipas tyre, sektori mund të shndërrohet në një nga shtyllat e identitetit të ri ekonomik shqiptar vetëm nëse kalon nga ofrimi i shërbimeve me vlerë të ulët drejt zhvillimit të produkteve dhe kapaciteteve teknologjike. Edhe investimet e huaja, sipas Cikos, duhen parë përtej vlerës së tyre totale. Shqipëria duhet të dallojë investimet që krijojnë kapacitete nga ato që krijojnë kryesisht renta. Investimet në industri, teknologji dhe zinxhirë furnizimi mund të sjellin aftësi, punësim të kualifikuar, eksport dhe transferim njohurish. Në të kundërt, investimet e përqendruara te pasuritë e paluajtshme, koncesionet apo aktivitete të tjera rentiere mund të kenë ndikim shumë më të kufizuar në kompleksitetin ekonomik. Në prag të anëtarësimit në BE, koha bëhet një faktor kritik. Sipas autorëve, Shqipëria duhet të përcaktojë përpara anëtarësimit sektorët ku dëshiron të ndërtojë avantazh konkurrues, pasi hapësira për politika industriale selektive mund të ngushtohet më tej brenda rregullave të tregut të përbashkët. Për një ekonomi prej rreth 2.4 milionë banorësh, ata nuk propozojnë një politikë industriale gjithëpërfshirëse, por përqendrim në disa fusha të zgjedhura: agropërpunim premium me origjinë të certifikuar, energji të rinovueshme me pozicionim të pastër, turizëm të diferencuar dhe shërbime IT që kalojnë nga BPO drejt produkteve. Në këtë kuptim, identiteti ekonomik shqiptar nuk duhet parë si diçka të humbur, por si diçka që ende nuk është ndërtuar plotësisht. Sfida është të kthehen territori, burimet, njerëzit dhe pozicioni gjeografik në aftësi, produkte, marka dhe industri që krijojnë vlerë edhe përtej ciklit të sotëm të turizmit dhe ndërtimit.