Article

Generated by

--:--
--:--

TrustMark, një instrument efektiv për të rritur besueshmërinë e konsumatorëve tek blerjet online

Në botën e tregtisë elektronike, ku besimi është çelësi i suksesit, AECA ka ndërmarrë një hap të guximshëm për të revolucionarizuar tregun online shqiptar. Në një intervistë me zotin Artan Gjergji, Sekretarin e Përgjithshëm i AECA, zbulojmë projektin inovativ TrustMark, një certifikatë besimi që premton të bëjë dallimin mes bizneseve të besueshme dhe atyre informale. Nga sfidat e informalitetit tek fuqizimi i konsumatorit, zoti Gjergji na tregon se si ky instrument do të ndryshojë rregullat e lojës, duke ofruar garanci dhe siguri për blerësit online. Me mbështetjen e fuqishme të donatorëve ndërkombëtarë si GIZ dhe HELVETAS, ky projekt synon të vendosë standarde të reja në tregtinë elektronike, duke e bërë Shqipërinë një lider rajonal në këtë fushë. Ndiqni këtë intervistë për të zbuluar se si TrustMark do të ndërtojë një të ardhme më të ndritshme dhe më të besueshme për e-commerce në Shqipëri dhe si AECA po punon për të harmonizuar praktikat më të mira ndërkombëtare me realitetin shqiptar. Një revolucion po troket në derë dhe është më afër se kurrë.

Pyetje :Nga projektet më të spikatura të Shoqatës Shqiptare për Tregtinë Elektronike (AECA) është zbatimi i një TrustMark për bizneset e-commerce në vend. A mund të na jepni një informacion më të detajuar në lidhje me këtë projekt?

Siç jeni në dijeni, që prej themelimit të saj në vitin 2022, AECA po përpiqet shumë në treg të adresojë problemet kryesore që ka industria e shitjeve online në vend. Një ndër problematikat më të mëdha që ka ky sektor në vendin tonë, është padyshim informaliteti. Kjo për shkak se, përveçse krijon një konkurrencë të pandershme mes operatorëve të tregut, ndikon negativisht në reduktimin e të ardhurave tatimore në buxhetin e shtetit dhe më e rëndësishmja, dëmton besimin e konsumatorëve tek blerjet online, pasi subjektet informale në pjesën më të madhe të rasteve abuzojnë me konsumatorët. Të gjendur përballë kësaj situate, nuk është e lehtë t’i shpallësh luftë informalitetit që “gëlon”, sidomos nëpër rrjeteve sociale. Për rrjedhojë, me mbështetjen edhe të donatorëve të rëndësishëm si GIZ, apo HELVETAS jemi përpjekur që të trajnojmë komunitetin e biznesit si dhe të arrijmë të identifikojmë mënyrat dhe instrumentat më efikase që na ndihmojnë të bëjmë diferencën në treg para konsumatorit si biznese serioze. Në anën tjetër, edhe filozofia që ndjekim tek Shoqata AECA, nuk është që t’i shpallim luftë informalitetit, por të sensibilizojmë operatorët e shumtë të shitjeve online që të orientohen nga errësira e informalitetit në dritën e seriozitetit dhe një marrëdhënieje korrekte e afatgjatë me konsumatorët. Parë në këtë këndvështrim si dhe duke marrë për bazë praktikat më të mira ndërkombëtare, së bashku me mbështetjen financiare të GIZ në nivel rajonal, kemi arritur të fusim në zbatim një instrument që quhet TrustMark dhe që është thjesht një certifikatë besimi, një indikator që jep sinjale dhe tregon një nivel të konsiderueshëm garancie për konsumatorin. Kështu, e ngjashme me yjet e hoteleve, edhe TrustMark është një indikator në sytë e klientëve të tregtisë online që tregon se faqja e internetit ku po blejnë zbaton me rigorozitet praktikat më të mira të e-commerce dhe të mbrojtjes së konsumatorit. Kjo do të përbëjë një element mjaft të rëndësishëm ndihmues për konsumatorin për të orientuar sjelljen e tij drejt blerjeve vetëm në faqet e internetit apo në bizneset që janë në zotërim të kësaj Certifikate Besimi.

Pyetje :Kush e emeton këtë Certifikatë Besimi ?

TrustMark është një atribut i Shoqatës AECA dhe ne sapo kemi ndarë certifikatat e para të saj tek eventi Digital Strategy zhvilluar së fundmi, ku ne patëm një panel ku diskutuam më shumë rreth TrustMark. Të gjithë ata që plotësojnë kriteret dhe standardet e caktuara, do të pajisen nga AECA me këtë TrusMark, dhe mund ta publikojnë atë si një logo apo badge në faqet e tyre zyrtare të internetit. Certifikata ka elementët e mjaftueshëm të sigurisë dhe do të jetë pothuajse e pamundur të falsifikohet apo të abuzohet me të. Procesi i testimit (screening), për të vlerësuar nëse një subjekt e meriton apo jo ta zotërojë një instrument të tillë, do të realizohet nga AECA bazuar në disa kritere të mirëpërcaktuara më parë dhe transparente për bizneset ecommerce. Gjithashtu, zotërimi i kësaj certifikate besimi do të ketë në vijimësi edhe një proces monitorimi periodik, me qëllim mos-abuzimin nga subjektet që e kanë kaluar me sukses fazën e parë të testimit, por që më vonë mund të cedojnë nga cilësia dhe serioziteti. Përdorimi në masë dhe me rigorozitet i TrustMark do të ndihmojë Anëtarët e Shoqatës AECA që të bëjnë diferencën ndaj subjekteve të tjera që operojnë në informalitet, dhe do t’u japë atyre mundësinë që të distancohen nga abuzimet e mashtrimet që bëhen në treg. Ky element do të rrisë ndjeshëm besueshmërinë e qytetarëve dhe konsumatorëve drejt faqeve të internetit që shesin online dhe që kanë të publikuara certifikatën e besimit, pasi aty do të ndihen më të mbrojtur nga abuzimet e mundshme. Në çdo rast, konsumatorëve do t’u lihet një dritare ankimimi si një element shtesë që do të ndihmojë AECA-n që të monitorojë më me efikasitet ecurinë e aktivitetit tregtar të subjektetve të pajisura me TrustMark. Kjo do të pengojë seriozisht keqpërdorimin apo abuzimin e bizneseve me një instrument të tillë dhe do të rrisë besueshmërinë ndaj tij.

Pyetje :Cilat kritere përfshin TrustMark për të vlerësuar seriozitetin e një operatori të shitjeve online?

Me mbështetjen financiare të GIZ, kriteret dhe metodologjia e TrustMark janë përcaktuar nga ekspertë të huaj të cilët kanë gërshetuar praktikat më të mira ndërkombëtare me kuadrin ligjor e rregullativ të vendeve në rajon. Projekti i mbështetur nga GIZ është pjesë e një axhende për fuqizimin e shoqatave të sektorit ecommerce në Ballkanin Perëndimor, si një nga shtyllat më të rëndësishme të CEFTA për nxitjen e tregtisë në nivel rajonal. Pjesë e këtij projekti është krijimi i një shoqate rajonale me emrin Balkan E-Commerce Alliance (BECA) si dhe krijimi i standardeve bashkëkohore të të bërit biznes në botën elektronike. Në rastin rajonal, kriteret janë të përgjithshme ndërkohë që sipas legjislacionit të vendit ku do implementohen kriteret e testimit të TrustMark, ka edhe elementë shtesë. Në rastin e Shqpërisë, AECA së bashku me ekspertët e huaj ka identifikuar rreth 16 kritere të rëndësishme që duhet t’i ketë cdo biznes që shet online në mënyrë që të garantojë siguri për konsumatorin dhe të krijojë një marrëdhënie të qëndrueshme afatgjatë bazuar mbi besimin. Këto 16 kritere janë elementë që janë në përputhje me kuadrin ligjor e rregullativ në vend, por që në praktikën e sotme pak ose aspak gjejnë zbatueshmëri. Këto 16 kritere të vlerësimit për pajisjen nga AECA të një tregtari online me TrustMark bazohen në 6 fusha kryesore si më poshtë shpjeguar:  Informacioni në lidhje me Identitetin e Tregtarit Online,  Transparenca dhe Infromacioni në lidhje me Produktet/Shërbimet e Tregtuara Online, Informacioni në lidhje me Shpërndarjen dhe Mënyrat e Pagesës, Heqja dorë e Klientit nga Transaksioni dhe Anullimi i Porosisë, Politikat e Sigurisë, Privacisë dhe Mbrojtjes së të Dhënave dhe Kodi i Etikës së Tregtarit Online. AECA do vijojë më të njëjtin ritëm aktivitetin e saj në eventet rajonale që synojnë promovimin, standardizimin dhe zhvillimin e sektorit të shitjeve online.