--:--
--:--

Investimi në pasuri të paluajtshme në 2026: Shtëpi, Airbnb apo projekte vertikale?

Edhe në vitin 2026, investimi në pasuri të paluajtshme mbetet një nga opsionet më tërheqëse për shqiptarët dhe investitorët e huaj. Interesi është i larmishëm: të rinj që kërkojnë shtëpinë e parë, familje që synojnë një shtëpi pushimesh, apo investitorë që shohin mundësi për qira afatshkurtra përmes platformave si Airbnb. Viti 2026 ka nisur me një treg më të matur dhe të stabilizuar pas periudhave intensive rritjeje. Eksperti i tregut, Fatjon Hysenbelliu nga Future Home, thekson se “momenti më i mirë për të hyrë në treg është sot”, duke e konsideruar këtë si mundësi për të ndërtuar kapital dhe përfitime afatgjata. Tregu nuk po shfaq stanjacion apo rënie të çmimeve, dhe kërkesa mbetet reale, e mbështetur nga diaspora, investitorë europianë, turizmi në rritje dhe investimet infrastrukturore. Tirana dhe Riviera shqiptare mbeten zonat më tërheqëse për investime. Tirana karakterizohet nga zhvillimet vertikale të kullave dhe projekte urbane, ndërsa Riviera ofron kërkesë të lartë nga vendas dhe të huaj, me kthim të lartë investimi. Stabiliteti aktual i tregut nuk është shenjë dobësie, por një fazë konsolidimi pas disa viteve rritjeje intensive. Tirana do të vazhdojë të jetë lokomotiva e zhvillimit ekonomik, me projeksione të qarta rritjeje afatgjata. Investimet në bregdet, megjithëse shpesh perceptohen si më spekulative, ofrojnë kthim të lartë afatgjatë, veçanërisht me zhvillimet infrastrukturore në porte, aeroporte dhe rrugë. Gabimi më i zakonshëm i investitorëve të rinj është pritshmëria për kthim të menjëhershëm. Tregu i pasurive të paluajtshme funksionon me cikle 2–3 vjeçare, dhe stabiliteti i sotëm tregon maturim, jo pasiguri. Turizmi rrit vlerën e qirave dhe kërkesën për Airbnb, duke e bërë këtë një efekt të qëndrueshëm nëse zhvillimet infrastrukturore vazhdojnë. Për investitorët me buxhet 80–120 mijë euro, Hysenbelliu rekomandon dy strategji: Blerje–shitje me projeksion 1-vjeçar – veçanërisht në zona me zhvillim të shpejtë dhe investime infrastrukturore, ku marzhi mund të arrijë 15–20% brenda një viti. Investim në Airbnb – ofron fitim më të lartë krahasuar me qiranë tradicionale dhe potencial të madh të ardhurash sezonale. Tre qytetet kryesore për investim në 2026 janë Tirana, Durrësi dhe Vlora, ku ekonomia vendore dhe investimet publike po rriten çdo vit. Ndërsa kapitali minimal për një investim fillestar mund të jetë 25,000–30,000 euro përmes skemave me këste, më e rëndësishmja mbetet guximi, vizioni dhe njohja e saktë e tregut.