Generated by
Prishtina Auto Show 2024: Transformimi dhe Inovacionet që Rilindën Panairin

Prishtina Auto Show 2024 solli një freski të paprecedentë në skenën e industrisë automotive në Kosovë, duke përfshirë ndryshime thelbësore në format dhe përmbajtje. Këtë vit, panairi u organizua tërësisht në ambiente të hapura, një largim i guximshëm nga edicioni i fundit në 2019 që u mbajt në sallën e panaireve. Risia tjetër madhore ishte përfshirja për herë të parë e autosallonëve me supermakina të markave prestigjioze si Lamborghini, Ferrari dhe Porsche, duke e bërë ngjarjen një pikë referimi për entuziastët dhe profesionistët e automobilizmit. Në një intervistë për Businessmag flet Ekrem Tahiri, drejtues i “Prishtina AutoShow”.
Prishtina Autoshow, këtë vit kishte mjaft ndryshime në raport me herën e fundit të organizuar. Ndryshimet kryesore janë dy: Ky edicion është realizuar komplet “outdoor”, për dallim nga edicioni i vitit 2019 që ishte në sallën e panaireve, Sivjet për herë të parë kishte pjesëmarrës edhe “Autosallone” që ishin prezent me disa supermakina që në të kaluarën nuk kishim mundësi t’i kishim pjesëmarrës.
I gjithë sektori i autoindustrisë ishte prezent në Autoshow, duke filluar nga disa përfaqësues të autorizuar të makinave të reja, Autosallone, kompani përfaqësuese të motorrave dhe atyre katër-rrotësh, skuterave, trotinetave elektrik, makinave të vogla për fëmijë, pastaj autopjesë, goma, bateri, autoaksesorë, vajëra për makina, auto-folje, banka, e kompani sigurimesh dhe kompani derivatesh. Pra, kishte një larmi gjithëpërfshirëse të autoindustrisë dhe asaj përcjellëse. Risia kryesore ishte pjesëmarrja e Autosalloneve me disa supermakina si: Lamborgini, Ferrari, Porsche, Bentley etj.
Me shumicën e tyre veç se kishim bashkëpunim nga edicionet e kaluara dhe shumica nga to veç se kanë qenë në dijeni se ç’ka ofrohet dhe si do të jetë. Ka pasur disa kompani që kanë pasur skepticizëm ngaqë ky edicion po organizohej në ambiente të hapura, por tjera dilema nuk ka pasur. Mendoj se kompanitë që për herë të parë kanë marrë pjesë në këtë edicion, i kanë besuar konceptit dhe eksperiencës sonë si organizatorë të ngjarjeve të tilla.
Arsyeja kryesore që nuk kishte Prishtina Autoshow që nga viti 2019 ishte pikërisht COVID-19. Pastaj mungesa e një salle adekuate që do të akomodonte një panair të tillë dhe në fund vendosja që të bëjmë diçka në ambient të hapur. Nuk besoj që kishte ndikim direkt në këtë edicion, përveç faktit që ka ndikuar që të mos ketë vazhdueshmëri dhe të krijohet një distancë prej 5 vitesh nga edicioni i fundit.
Sfida kryesore ishte moti dhe rreziku nga shiu, i cili na ka penguar shumë në përgatitje dhe në planifikim. Sfidë tjetër ishte krijimi i stendeve adekuate dhe të përshtatshme për një panair të tillë dhe kryesorja, skepticizmi i disa kompanive në suksesin e një evenimenti të tillë në hapësirë të hapur dhe si rrjedhojë mospjesëmarrja e tyre në këtë edicion. Por, po besoj që mbarëvajtja dhe suksesi i këtij edicioni, i ka bindur të gjithë ata që kishin dyshime, se edhe në mjedis të tillë mund të organizohet diçka e mirë dhe se është hapur rruga që në edicionet e ardhshme veç të rritemi edhe më shumë.
Në vitin e ardhshëm mendojmë që Prishtina Autoshow do të jetë shumë më i madh sesa sivjet, edhe me numrin e kompanive pjesëmarrëse, edhe me hapësirën që do të jetë në shfrytëzim, si dhe do të ketë edhe disa elemente shtesë atraktive, si: Oldtimers, Karting, Automjete të garave etj.
Besoj që janë arritur pritshmëritë me këtë edicion në disa pika sa i përket organizimit në hapësirë të hapur dhe numrit të vizitorëve. Numri i vizitorëve shkonte vazhdimisht duke u rritur dhe kompanitë pjesëmarrëse ishin të kënaqura me këtë gjë, si dhe disa prej tyre kanë arritur edhe të kenë marrëveshje B2B si dhe B2C. Sipas informatave që ne i kemi nga ky edicion, kishte shitje dhe marrëveshje biznesi që tejkalojnë shumën e 1.5 milion euro për 3 ditë të panairit. Qëllimi ynë kryesor ishte që të organizojmë një eveniment gjithëpërfshirës, me një numër prej 10k vizitorësh dhe ku edhe vizitorët të jenë të kënaqur me atë që do të prezantohet, por edhe kompanitë pjesëmarrëse të jenë të kënaqura me numrin e vizitorëve, marketingun dhe marrëveshjet e realizuara.
Automjeti më i shtrenjtë në panair ishte një Lamborgini me çmim prej 650,000 euro. Kishte edhe disa supermakina tjera që kishin çmime 450,000 euro, 350,000 euro dhe disa të tjera me 200,000 – 350,000 euro. Gjithashtu ka pasur edhe makina që silleshin prej 15,000 euro deri në 45,000 euro që ishin më të kapshme për shumicën e vizitorëve të Autoshow.