Article

Generated by

--:--
--:--

Ernisa Terniqi; Si mund të shërohemi nëpërmjet tingujve? Pianisja e fokusuar në muzikoterapi tregon fuqinë e frekuencave muzikore në trupin tonë

Në këtë intervistë me Ernisa Terniqi, do të shpalosim pjesën e saj të përvojës si muzikante, studimeve për drejtësi, si dhe rrugëtimin e saj drejt muzikoterapisë dhe ndikimin e thellë që muzika ka në shëndetin emocional dhe fizik të njerëzve. Ernisa ndan me ne motivimin e saj për të zgjedhur të studiojë drejtësi, si kjo fushë kombinohet me pasionin e saj për muzikën dhe si kjo ndërthurje e ka plotësuar atë. Po ashtu, do të zbulojmë sfidat që Ernisa ka përjetuar dhe mënyrat se si i ka zgjidhur ato në rrugëtimin e saj si muzikoterapiste. Ajo na tregon për përvojat më të rëndësishme me pacientët dhe se si muzika ka ndryshuar jetët e tyre në mënyra të thella dhe të shëndetshme. Në fund, Ernisa na sjell vizionin e saj për të ardhmen e muzikoterapisë në Shqipëri dhe vizionin e saj për ta bërë më të njohur në vendin tonë.

Pyetje :Ju jeni gjithashtu pedagoge pasi keni mbaruar studimet për juridik, Çfarë ju shtyu për të studiuar këtë fushë dhe si ndërthuret ajo me Enisën si muzikante?

Po. Në fakt përveç profesionit si pianiste, muzikoterapiste zotëroj edhe një profesion tjetër atë si juriste. Kam përfunduar Fakultetin e Drejtësisë dhe për 4 vjet kam qenë pedagoge në këtë fakultet. Arsyeja pse zgjodha që përveç pianos të bëja dhe një universitet tjetër, ka qenë sepse pianoja si instrument në përgjithësi më merrte shumë kohë në studim. Shikoja që isha shumë e mirë në shprehjen e ndjenjave në muzikë, por me fjalë e kisha të vështirë, prandaj zgjodha të vazhdoja fakultetin e drejtësisë, ku mësova interpretimin e fjalës. Nuk ka më bukur që të dish të zotërosh dy arte të shprehjes së njeriut. Njëra është muzika e shprehur nëpërmjet ndjenjave dhe e dyta është fjala e cila ka një peshë shumë të madhe dhe kur ajo përdoret për mbrojtjen e të drejtave të individit merr një vlerë të veçantë. Me zotërimin e dy profesioneve ndihem e plotësuar, por muzika është dashuri për mua.

Pyetje :Si e filluat karrierën tuaj si pianiste dhe si arritët të specializoheni në terapinë me muzikë?

Pas përfundimit të liceut artistik në qytetin e Durrësit për piano, fitoj të drejtën për të studiuar në konservatorin e Epirit në Greqi, nga ku dhe jam diplomuar me rezultate ekselente. Diplomë nga e cila mbaj edhe titullin "Pianiste". Rrugëtimi im me terapinë muzikore e ka pikënisjen në momentin më delikat të jetës time, moment në të cilin u infektova nga covid 19 . Duke përdorur frekunca muzikore (edhe pse në atë kohë dija shumë pak për to ) arrij të kem një reagim të mrekullueshëm në trupin tim duke më ndihmuar ta kaloj covid-in i cili në atë kohë më rrezikoi seriozisht jetën.

Në atë moment lindi tek unë një synim i ri për të vazhduar më tej studimet mbi këtë fushë. Kisha dëgjuar shpesh termin " Muzika është ilaç", por nuk kisha ditur ta përdorja këtë 'ilaç' edhe pse kisha mbi 15 vite (në atë kohë) që mësoja të luaja muzikë. Fusha e gjerë e shërimit nga tingulli dhe muzika më dha mundësinë të njoh vërtet vlerën e muzikës.

Pyetje :Cilat janë përvojat tuaja më të rëndësishme duke punuar si terapist muzikor me përdorues të ndryshëm?

Do veçoja përvojën në grup, për shkak se kam parë një efektivitet më të madh tek pacientët. Energjia dhe motivimi që shpërndajnë me njëri tjetrin është për t'u admiruar. Në fakt, grupet që kanë pasur këtë lloj lidhje kanë pasur më shumë arritje dhe sukses në qëllimin e përcaktuar nga vetë personat në fillim të terapisë.

Pyetje :Si e përdorni muzikën për të ndihmuar pacientët tuaj? A ka një repertor të caktuar që përdorni?

Terapia muzikore është një ndërthurje e shkencës, mjekësisë, muzikës, psikologjisë dhe e shumë fushave të tjera. Një ndërthurje e cila ndihmon pacientët të gjejnë lehtësim dhe shërim, si emocional ashtu edhe fizik. Unë jam krijuese e trajnimit "Bëj qelizat të vallëzojnë me ritmin e universit" trajnim i cili të informon për mënyrën se si ta përdorim muzikën dhe tingullin për shërimin emocional dhe fizik. Në fund të tij synon që pacienti të jetë në gjendje harmonike me natyrën.

Pyetje :Çfarë ju frymëzon për të krijuar muzikën për sesionet tuaja të terapisë? A ka ndonjë këngë apo pjesë muzikore që është e rëndësishme për ju dhe pacientët tuaj?

Frymëzimi për të krijuar pjesë muzikore më vjen në momentin që shikoj rezultatet e mrekullueshme që ka ndërthurja e tingujve në trupin e personave që janë pjesë e trajnimit. Jam krijuese e disa melodive në piano, fokusi i të cilave është shërimi emocional. Krijimi muzikor i konsideruar si më me ndikim nga pacientët mban titullin "Mbylli sytë" melodi e cila është krijuar për t’u shkëputur nga realiteti dhe për të parë thellë brenda vetes.

Pyetje :Cilat janë sfidat më të mëdha që hasni në këtë fushë dhe si i zgjidhni ato?

Sfidë të madhe do cilësoja vështirësinë e njerëzve për të kuptuar se si mund të shërohemi nëpërmjet tingujve. Për këtë temë fatkeqësisht në vendin tonë mungojnë informacionet dhe kjo gjë e bën më të vështirë konceptimin e saj. Zgjidhjen e kësaj sfide e kam menduar duke qenë prezente në rrjetet e mia sociale dhe duke dhënë informacione si dhe video shpjeguese për mënyrën se si ndikon muzika në jetën tonë si edhe cilat janë benefitet e shumta të të dëgjuarit muzikë cilësore. Pra, duke filluar nga ndërgjegjësimi për ndikimin e fuqishëm të muzikës dhe më pas për ato që duan të thellohen është trajnimi i cili përmenda më parë. Si formë të terapisë muzikore, kam krijuar klasat online të mësimit të instrumentit të pianos për të rritur.

Pyetje :Si e vlerësoni ndikimin e muzikës në shëndetin emocional dhe fizik të pacientëve tuaj?

Për t'u kuptuar më mirë ndikimi i muzikës do dëshiroja të shtroja 3 pyetje të thjeshta që ndoshta na ngacmojnë vetëdijen.

A e keni pyetur ndonjëherë veten pse gjithçka shoqërohet me muzikë? (Duke filluar nga çdo festë familjare, ditëlindje , dasma, kur dalim për vrap, meditimi etj) Pse kur dëgjojmë muzikë ndihemi sikur na kupton, na ngushëllon kur jemi të mërzitur ose na jep fuqi dhe na motivon atëherë kur na nevojitet? A mund ta zëvendësojë ndonjë gjë rolin e muzikës në jetën tonë?

Mund të them se ndikimi i muzikës në jetën tonë është jashtëzakonisht i madh. ADN-ja e njeriut është e ndjeshme ndaj muzikës dhe frekuncave të saj deri në atë pikë sa mund të riprogramohet nëpërmjet tyre, fakt ky i vërtetuar shkencërisht.

Pyetje :Cilat janë historitë më të rëndësishme, ose të ndjeshme që keni përjetuar dhe a ka raste konkrete që keni vërejtur përparime të dukshme duke punuar me pacientë nëpërmjet muzikës?

Puna si terapiste muzikore të fal shumë kënaqësi, por nga ana tjeter mban një peshë të madhe. Pacienti të beson jo vetëm historinë e jetës së tij por vë edhe shpresat në arritjen e shërimit qoftë ky emocional apo fizik.

Dëshiroj të veçoj 2 raste konkrete.

Përmirësimi i parë është rasti i një nëne në ankth e cila nuk arrite të shijonte fëmijën e saj për shkak të problemeve të thella emocionale. Gjatë trajnimit dhe dëgjimit të frekuncave muzikore ajo fillon të ndihet e qetë dhe më shkruan për përjetimet e përqafimeve me fëmijën. Ishte hera e parë që pas 3 vjetësh ajo nënë arrinte ta ndjente dhe ta shijonte mëmësisë.

Ndërsa rasti i dytë është rasti i një vajze e cila prej disa vitesh ishte diagnostifikuar me 'sklerozë multiple' dhe lëvizte me karrocë me rrota. Në një nga seminaret online që mbajmë, gjatë trajnimit merr guximin dhe ngrihet nga karroca me rrota dhe bën disa hapa duke besuar plotësisht në këmbët e saj. Ky moment ka qënë tepër emocionues dhe një eksperiencë e mrekullueshme për mua, si edhe një provë e vërtetë se çfarë tingulli dhe muzika mund të bëjnë në trupin tonë.

Pyetje :Si ndiheni ju personalisht, kur përmes muzikës ndihmoni në shërimin e pacientëve tuaj?

Për mua kjo gjë nuk është një profesion por është plotësimi i misionit për të cilën ndodhem këtu në tokë dhe për këtë arsye mbart një vlerë të jashtëzakonshme në brendinë time.

Pyetje :Cilat janë synimet që kërkoni të arrini në të ardhmen në fushën e terapisë me muzikë?

Në vendin ku unë jetoj momentalisht në Itali, një terapist muzikor tashmë është pjesë e stafit mjekësor në spital. Një nga synimet e mia është që kjo gjë të arrihet edhe në spitalet e vendit tonë. Është një ndër metodat natyrale të ndihmesës në shërim, ku trupi i njeriut gjen përshtatje të mrekullueshme.

Vizioni im më i madh është që të bëj njerëzit të kuptojnë rëndësinë e muzikës dhe të nxjerrin benefite prej saj. Muzika është një e mirë shumë e fuqishme për njerëzimin dhe tashmë ka ardhur koha që të përfitojmë prej saj jo vetëm disa emocione pozitive por edhe të shërojmë një gamë të gjerë sëmundjesh. Muzikoterapia është një degë shumë e bukur dhe në botë ka një zhvillim të jashtëzakonshëm duke njohur raste konkrete të shërimit nga muzika. Ky është vizioni im i madh të cilin tashmë e kam vënë në jetë edhe në Shqipëri ku kam filluar të kem rezultatet e para. Nuk ka gjë më të bukur sesa kur këtë profesion kaq hyjnor ta përdorësh për qëllime shumë më të mëdha.