Ekonomia pa kufij… ose të hysh në një treg më të madh se vetja
Ekziston një moment i qartë në historinë e një vendi kur ai pushon së qeni thjesht një territor dhe shndërrohet në një rrjet vlerash që qarkullojnë globalisht. Për Shqipërinë dhe Kosovën, ky moment po ndodh tani.Jo sepse u hapën më shumë dyqane në Tiranë a Prishtinë, as sepse u shtua numri i turistëve në bregdet, por sepse një gjeneratë e re sipërmarrësish, konsulentësh, krijuesish dhe profesionistësh po operojnë me një premisë të thjeshtë: kufijtë gjeografikë janë thjesht iluzione kur ke akses në internet, njohuri dhe ambicie globale. Interneti, teknologjia dhe puna në distancë kanë ndryshuar vetë përkufizimin e tregut. Një klient mund të jetë në Berlin, një investitor në Londër dhe një partner në Nju Jork, ndërsa kompania ndërtohet në Tiranë. Për një ekonomi të vogël, kjo është një mundësi e jashtëzakonshme: të eksportojë jo vetëm mallra, por edhe talent, teknologji dhe shërbime me vlerë të shtuar. Edhe ekosistemi shqiptar i startup-eve po merr një tjetër dimension. Ai po rritet, po diversifikohet dhe po shtrihet përtej Tiranës, ndërsa gratë themeluese po thyejnë barrierat dhe stigmat duke u bërë pjesë gjithnjë më e rëndësishme e këtij transformimi. Intervista jonë ekskluzive me StartupBlink tregon potencialin e kësaj rritjeje, por edhe atë që na mungon ende për të synuar më lart: kapitalin e përshtatshëm për startup-et, mentorimin, aftësinë për të shkallëzuar dhe një kulturë biznesi që e sheh dështimin si pjesë të procesit të inovacionit. Në të njëjtën kohë, bizneset shqiptare po afrohen me tregun evropian jo më vetëm si eksportues, por si partnerë potencialë në zinxhirët e vlerës. Integrimi evropian do ta bëjë këtë mundësi edhe më konkrete, duke e vendosur konkurrueshmërinë, standardet dhe produktivitetin në qendër të ekonomisë. Kjo logjikë po shfaqet edhe në sektorë tradicionalë. Agroturizmi, për shembull, nuk është thjesht ‘’turizëm në fshat’’, por një model që lidh prodhimin, territorin, gastronominë, identitetin dhe teknologjinë në një produkt të vetëm. Nisma “Destinacionet që Vlejnë” është një shembull i mënyrës se si vlera lokale mund të kthehet në një ofertë me potencial më të gjerë. Ekonomia pa kufij, është një realitet përtej një slogani. Është një mënyrë e re për të menduar biznesin. Dhe sfida për Shqipërinë nuk është thjesht të ketë më shumë kompani që dalin jashtë kufijve. Është të ndërtojë kushtet që ato të rriten, të shkallëzohen dhe të kthehen në histori suksesi që mund të përsëriten. Sepse kufijtë gjeografikë po bëhen më pak të rëndësishëm. Ajo që mbetet vendimtare është aftësia për të krijuar vlerë dhe për ta shitur atë në botë. Duke ju uruar lexim të këndshëm, Ju ftojmë të abonoheni dhe të shkarkoni revistën online!