Krenare Sogojeva Dermaku: Kosova duhet të ndërtojë besim digjital, jo vetëm teknologji
Besimi digjital shfaqet si një nga provat më të rëndësishme të shtetformimit modern në Kosovë. Krenare Sogojeva Dermaku, Komisionere për Informim dhe Privatësi,argumenton ne kete interviste se Kosova ka bërë përparim në përafrimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale me standardet e Bashkimit Evropian dhe parimet e GDPR-së, por ende përballet me vështirësi në zbatimin praktik. Sipas saj, privatësia nuk është më çështje teknike, por pjesë e të drejtave themelore dhe e besimit publik në epokën digjitale. Pikat më të dobëta lidhen me vetëdijesimin e qytetarëve, institucioneve dhe bizneseve, mungesën e ekspertizës, auditimeve, sistemeve mbikëqyrëse dhe kapaciteteve të sigurisë kibernetike. Inteligjenca Artificiale e bën këtë situatë edhe më të ndjeshme, sepse algoritmet përdoren në sektorë të ndryshëm dhe mund të krijojnë profilizim, diskriminim algoritmik ose vendimmarrje të paqartë për qytetarin. Agjencia për Informim dhe Privatësi ka realizuar draftin e parë të Vlerësimit të Ndikimit të EU AI Act në Kosovë, duke hedhur bazat për një kuadër të ardhshëm të harmonizuar me standardet evropiane. Një dimension tjetër lidhet me ekspozimin e sektorit publik dhe financiar ndaj sulmeve kibernetike, për shkak të sasisë së madhe të të dhënave që administrojnë. Mungesa e njohjes së plotë ndërkombëtare e vështirëson pjesëmarrjen e Kosovës në disa mekanizma globalë, por Agjencia ka ndërtuar prani në forume si EDPB, GPA dhe GPEN. Në fund, mesazhi kryesor është se Kosova mund të ndërtojë një model funksional të besimit digjital vetëm përmes institucioneve të besueshme, transparencës, kapaciteteve profesionale dhe mbrojtjes reale të qytetarëve.