Generated by
“Elon Musk”, biografia që vjen edhe në shqip
“Elon Musk” është biografia e autorizuar e miliarderit amerikan dhe CEO-s së SpaceX-it dhe Tesla-s. Nga autori bestseller Walter Isaacson, tashmë i njohur si biografi i Steve Jobs-it, vjen historia e jashtëzakonshme e novatorit më magjepsës dhe më kontrovers të kohës sonë: Elon Musk. Ai është vizionari që ka thyer të gjitha rregullat dhe ka shënuar një epokë të re, atë të automjeteve elektrike dhe misioneve hapësinore private. Elon Musk ka pasur një fëmijëri të vështirë. I rritur në Afrikën e Jugut, shpesh binte pre e nëpërkëmbjes. Madje, një herë pati përfunduar në spital për një javë të tërë. Por, plagët fizike nuk kanë të krahasuar me ato emocionalet, të shkaktuara nga i ati, i cili ushtronte një dhunë të egër psikologjike mbi të.
“M’u desh të duroja hakërrimat e tij për plot një orë, se isha idiot, se nuk vleja një dysh.”
Marrëdhënia me të atin la gjurmë të thella tek ai. Musk u bë një burrë-fëmijë, i ashpër, por i brishtë, me luhatje të mëdha humori, me një prirje të theksuar ndaj rrezikut dhe dramave, me një nxitje epike ndaj sipërmarrjeve, të cilave u kushtohet “deri në palcë”, ndonjëherë madje edhe në mënyrë shkatërrimtare. Për dy vjet me radhë, Isaacson e ka ndjekur Musk ngado, ka marrë pjesë në mbledhje bashkë me të, e ka shoqëruar nëpër kompanitë e tij, ka kaluar orë të tëra duke intervistuar vetë Elon-in, familjarët dhe miqtë, kolegët dhe rivalët. Kjo është një histori intime dhe e pasur me shumë anekdota të panjohura nga jeta e tij, një rrëfim i jashtëzakonshëm triumfesh dhe trazirash
Kritika nga The Sunday Times .
Një rrëmim i hollësishëm në mendjen e trazuar të njeriut më të pasur të botës... Libri i Isaacson-it nuk është portreti hijerëndë i një kapiteni industrie, por më tepër një udhëtim rraskapitës përmes jetës së një njeriu që duket se e ka të pamundur të arrijë lumturinë.
Kritika nga Forbes .
Sikur Musk-u të kishte ambicie vetëm për plazhet dhe luksin, atëherë s’do të ishim duke lexuar këtë libër për jetën e tij. Për Musk-un, themeli është krijimi i gjërave kundër çdo parashikimi. Një nga arsyet kryesore për të cilën është shumë i pasur ka të bëjë me faktin që është gjithnjë në gjendjen e start-up-it.
Kritika nga The Economist .
Çfarëdo që të mendoni për z. Musk, është një njeri që ia vlen ta kuptosh, gjë që e bën këtë libër të denjë për t’u lexuar.
Kritika nga Wall Street Journal .
Me biografinë “Elon Musk”, Walter Isaacson na jep jo vetëm një kronikë tërheqëse të jetës frenetike të protagonistit të tij, por edhe disa përgjigje fort bindëse.
Kritika nga New York Journal of Books .
Isaacson-i ka mbledhur informacione nga admiruesit dhe kritikët e Musk-ut. Dhe i nxjerr në shesh të gjitha... Libri është plot me histori. Një rrëfim thellësisht rrëmbyes i një novatori amerikan spektakolar.
Kritika nga The Times .
Isaacson-i arrin ta ndajë Musk-un në dy njerëz... përfundimi është një libër me hollësi të panumërta, që e ndjek brenda sallave të rëndësishme dhe eksploron zonat e errëta të mendjes së tij.
Kritika nga The Guardian .
Ky libër ngjan si prova gjenerale e jetës së Elon Musk-ut, i cili, ashtu si dhe Steve Jobs, i shtyn njerëzit të vrasin mendjen nëse një sjellje personale e tmerrshme mund të ndahet nga vendosshmëria e palodhshme që e ka bërë atë të suksesshëm.
Walter Isaacson është autor besteller i shumë biografive të suksesshme, ndër të cilat edhe ajo kushtuar Steve Jobs-it (Botime Pegi, 2012). Ai është profesor historie në Tulane University, në New Orleans, si dhe ka qenë CEO i Institutit Aspen, president i CNN-it dhe redaktor i gazetës Time. Në vitin 2023, u nderua me Medaljen Kombëtare të Shkencave Humane.
Këto janë disa fragmente nga libri :
Leximi ka qenë gjithnjë streha psikologjike e Musk-ut. Ndonjëherë, kridhej në libra tërë pasditen dhe pjesën dërrmuese të mbrëmjes, deri edhe nëntë orë rresht. Kur familja shkonte për vizitë te ndonjë mik, ai zhdukej në bibliotekën e të zotit të shtëpisë. Kur shkonte në qytet, Iloni dilte për hesap të vet dhe veç kur e gjenin të ulur në dyshemenë e një librarie, të kredhur krejtësisht në botën e vet.
Të vetmet rregulla janë ato që diktohen nga ligjet e fizikës. Gjithë të tjerat janë rekomandime.
Ja, kështu perëndon një qytetërim. Resht së rrezikuari.
Ndonjëherë, novatorët e mëdhenj janë tipa fëminorë dhe kokëfortë, si të vegjlit që s’pranojnë të bëjnë kakën në oturak. Shpesh janë të rrëmbyer, priren të vënë në siklet të tjerët, madje, në disa raste, bëjnë edhe zarare. Shpesh janë edhe të krisur. Aq të krisur, sa mendojnë se mund ta ndryshojnë botën.
Mos ki frikë nga humbja. “Humbja është e pashmangshme, thotë Musk. Pesëdhjetë herët e para do të dhembë shumë. Më pas, mësohesh me humbjen dhe luan me më pak emocione. Kur ndodh kjo, bëhesh më i guximshëm dhe rrezikon më shumë”.
Po të mbaje një qëndrim negativ, apo të mendoje se diçka ishte e pamundur të bëhej, nuk mund të ishe i pranishëm në mbledhjen e radhës, kujton Mjulleri. Ai donte vetëm njerëz të aftë që t’i bënin gjërat realitet.