Generated by
Kur ChatGPT hyn në klasë! Të nxënit dhe mësimdhënia në realitetin e inteligjencës artificiale
Inteligjenca artificiale po ndryshon rrënjësisht mënyrën si mësojmë dhe mësojmë të tjerët. Dy vende me realitete dhe qëllime të ndryshme, Estonia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, po e përdorin këtë teknologji për të transformuar arsimin. Estonia, e njohur si një prej pionierëve të digjitalizimit në Evropë, ka ndërmarrë një iniciativë ambicioze: duke nisur nga 1 shtatori 2025, 20 mijë nxënës të shkollave të mesme dhe 3 mijë mësues të tyre do të kenë qasje të lirë në ChatGPT Edu, një version i personalizuar i ChatGPT për përdorim arsimor. Kjo nismë është pjesë e programit “AI Leap”, që ka për synim të përgatisë të rinjtë për të ardhmen e dominuar nga inteligjenca artificiale dhe të forcojë pozicionin e Estonisë në konkurrencën globale të teknologjisë. Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ofruar abonim falas në ChatGPT Plus për të gjithë banorët, duke e vendosur veten si një epiqendër të re të AI-së në Lindjen e Mesme. Ky hap synon të përmirësojë qasjen në teknologjitë më të avancuara të AI-së dhe të nxisë përdorimin e tyre në fusha të ndryshme, duke përfshirë arsimin, biznesin dhe shërbimet publike. Nxënësit mendojnë më pak, klikojnë më shumë Nëse dikur në klasë garonin ide, sot mësuesit përballen me një sfidë të re, bashkëjetesën me inteligjencën artificiale. Si ndikon kjo në procesin mësimor? A po përjeton arsimi një epoke të re, ku dijet gjenerohen në sekonda, apo po rrezikojmë të humbasim thelbin e të menduarit kritik? Në një kohë kur ese të tëra “shkruhen” me një klik, pedagogët përballen me pyetje thelbësore: Si të dallosh zërin e studentit nga ai i algoritmit? Është ChatGPT rrezik apo aleat? Granit Zela, pedagog i “Shkrimit Akademik” dhe “Analizës së ligjërimit” në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë, me mbi 24 vite përvojë akademike, ndan përvojën e tij në një klasë që nuk është më vetëm e tij…por edhe e inteligjencës artificiale.