Generated by
Për një shoqëri të pavarur financiarisht. Akademia e Edukimit Financiar, një nismë nga Junida Katroshi

Punët e mira bëhen gjithmonë bashkë! Me këtë qasje, Junida ka bërë bashkë disa aktorë, organizata, ekspertë, njerëz të apasionuar dhe të gatshëm për të shërbyer në komunitet për të krijuar ‘një gur të parë’ për të bërë më të mirën në përmirësimin e aftësive financiare të individëve. Akademia do të jetë pjesë e kontributit që shumë institucione të tjera, apo organizata japin në vend për ndërtimin e një kulture financiare më të shëndetshme dhe të përgjegjshme.
Akademia e Edukimit Financiar është një nismë e re dhe ambicioze që synon të fuqizojë individët përmes njohurive financiare, me fokus të veçantë te të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara. E frymëzuar nga nevoja për ndërgjegjësim dhe aftësi financiare në një botë gjithnjë e më komplekse, kjo akademi synon të përçojë njohuri praktike mbi menaxhimin e financave personale dhe investimet. Në këtë intervistë me ne, Junida Katroshi ndan vizionin e saj për edukimin financiar si një mjet për zhvillimin ekonomik dhe përfshirjen financiare.
Nisja e një Akademie të Edukimit Financiar ishte një objektiv që e kisha prej kohësh dhe është frymëzuar nga pasioni im për financat dhe dëshira për të promovuar edukimin financiar në mënyrë të gjerë. Një vlerë, të cilën e ndaj prej kohësh me të gjithë që më rrethojnë është fuqizimi i individëve përmes njohurive. Të ndihmoj njerëzit të marrin vendime më të mira financiare dhe të ndërtojnë një të ardhme më të qëndrueshme ekonomikisht.
Objektivi im afatgjatë është të krijoj një platformë që, jo vetëm ofron njohuri, por edhe mundëson zhvillimin e aftësive për të lundruar në sfidat financiare me vetëbesim dhe qartësi, duke kontribuar kështu në zhvillimin ekonomik dhe përfshirjen financiare të të gjithëve.
Misioni i Akademisë është fuqizimi i individëve dhe veçanërisht të rinjve dhe grupeve të margjinalizuara, përmes edukimit financiar cilësor dhe gjithëpërfshirës. Ne synojmë të krijojmë një platformë që ofron njohuri praktike mbi menaxhimin e financave personale, investimet dhe përdorimin e teknologjisë për të përmirësuar qasjen ndaj mundësive financiare. Unë besoj se kontribuojmë për një shoqëri më të ndërgjegjshme dhe të pavarur financiarisht, nëse ndihmojmë çdo të ri, çdo grua, apo start-up të marrë vendime të informuara që përmirësojnë jetën e tyre ekonomike, në mënyrë të qëndrueshme.
Qendra për Financa të Qëndrueshme dhe Inovacion është e re, por e krijuar nga profesionistë të tregut financiar dhe edukimit, ndërsa New Vision është organizatë që punon me të rinjtë prej më shumë se një dekadë. Ndaj ne u bashkuam për të ofruar atë që dimë të bëjmë më mirë! Këto organizata luajnë një rol kyç në projekt, duke sjellë ekspertizë dhe përvojë në zhvillimin e programeve që fokusohen në financat e qëndrueshme dhe përdorimin e teknologjisë për të përmirësuar edukimin financiar.
David Gyori është një ekspert ndërkombëtar në inovacionin dhe teknologjinë financiare dhe sjell ekspertizë globale dhe perspektiva novatore që ndihmojnë në formësimin e programeve të akademisë, duke siguruar që përmbajtja të jetë në linjë me trendet më të fundit financiare dhe teknologjike.
Ndërsa prania e zonjës Bora Muzhaqi, Ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët pikërisht në çeljen e Akademisë ishte një vlerësim i madh për këtë nismë. Ajo prej kohësh tashmë është angazhuar për edukimin dhe fuqizimin e të rinjve duke kontribuar në krijimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse që i shërben më së miri nevojave të të rinjve. Mbështetja që politikanët i japin edukimit financiar në vend është shumë e rëndësishme, pasi kjo kauzë ka nevojë për një lidership të fortë. Punët e mira bëhen gjithmonë bashkë.
Akademia e Edukimit Financiar do të përqëndrohet në disa tema specifike që janë të rëndësishme për fuqizimin financiar të individëve. Menaxhimi i financave personale është objektivi kryesor. Pjesëmarrësit mësojnë si të krijojnë buxhete, të kursejnë dhe të investojnë në mënyrë të zgjuar; marrin edukim për teknologjitë financiare, për të kuptuar më mirë përdorimin e platformave dixhitale dhe shërbimeve bankare online; si dhe edukim mbi investimet, sigurimet dhe planifikimin e pensionit.
Audienca e synuar do të jenë të rinjtë, grupet e margjinalizuara dhe individët që kanë mungesë qasjeje në burime financiare të avancuara, me qëllim përmirësimin e aftësive të tyre për të marrë vendime financiare të qëndrueshme dhe të informuara.
Si një iniciativë vullnetare, një nga sfidat kryesore ka qenë sigurimi i burimeve dhe partneriteteve të nevojshme për të ndërtuar një platformë cilësore dhe gjithëpërfshirëse. Një tjetër sfidë ka qenë përshtatja e përmbajtjes edukative në mënyrë që të adresojë nevojat e një audience të larmishme, duke përfshirë të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara. Kemi kërkuar mbështetjen e shumë ekspertëve të sistemit financiar, të cilët për edicionin e parë do të japin kontribut vullnetar.
Për më tepër, kemi zhvilluar programe fleksibël, duke përdorur qasje inovative në teknologji dhe metodologji mësimore për të siguruar që përmbajtja të jetë e kuptueshme dhe e aplikueshme për të gjithë pjesëmarrësit.
Akademia do të përfshijë një gamë të gjerë temash, të strukturuara për të siguruar mësim efektiv dhe praktik. Modulet mbi menaxhimin e financave personale, si krijimi i buxheteve dhe kursimi, investimet themelore dhe përdorimi i teknologjive financiare për të përmirësuar qasjen në shërbimet bankare dixhitale do të jenë interaktive dhe të bazuara në raste studimore, duke përfshirë simulime financiare që ndihmojnë pjesëmarrësit të praktikojnë konceptet e mësuara. Strukturimi i programeve do të ndjekë një qasje hap pas hapi, duke filluar me njohuri themelore dhe duke avancuar gradualisht në tema më të ndërlikuara, ndërsa ofron mbështetje të vazhdueshme nga mentorë dhe ekspertë të fushës për të siguruar kuptim të plotë dhe zbatim praktik të njohurive.
Akademia e Edukimit Financiar është një gur i parë i hedhur nga njerëz të apasionuar dhe të gatshëm për të shërbyer në komunitet.
Për mua është një forcë që do të më shtyjë përpara për të bërë më të mirën në përmirësimin e ndërgjegjësimit dhe aftësive financiare të individëve. Akademia do të jetë pjesë e kontributit që shumë institucione të tjera, apo organizata japin në vend për ndërtimin e një kulture financiare më të shëndetshme dhe të përgjegjshme.
Në të ardhmen, e shoh Akademinë si një pikë referimi për edukimin financiar në nivel kombëtar, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe të qëndrueshëm të shoqërisë sonë.
Planet afatgjata përfshijnë zgjerimin e programit, duke futur teknologjinë dhe inovacionin financiar, si edhe zgjerimin e aksesit në nivel kombëtar. Synojmë të krijojmë partneritete strategjike me institucione financiare, shkolla dhe organizata ndërkombëtare për të siguruar që edukimi financiar të bëhet pjesë e pandashme e sistemit arsimor dhe zhvillimit profesional.
Po ashtu, planifikojmë të zhvillojmë projekte të reja që fokusohen në edukimin mbi sipërmarrjen dhe krijimin e mundësive për të rinjtë që të aplikojnë njohuritë financiare në mënyrë praktike, përmes startup-eve dhe iniciativave të reja ekonomike.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është rritja e ndërgjegjësimit për sigurinë financiare dhe mbrojtjen nga mashtrimet, duke ofruar trajnim të avancuar për këto çështje.