--:--
--:--

DIASPORA, pasuria e re strategjike e Shqipërisë!

Ekziston një paradoks në zemër të historisë ekonomike shqiptare të tridhjetë viteve të fundit. Vendi humbi dhe vazhdon të humbasë një pjesë të konsiderueshme të kapitalit të tij njerëzor që shkon drejt Evropës Perëndimore apo edhe Amerikës së Veriut. Ky proces, i dokumentuar me shifra alarmante është një plagë e hapur sociale e vendit dhe jo vetëm. Çdo vit Shqipëria dhe Kosova humbnin mjekë, inxhinierë, sipërmarrës etj. Fitonin: remitanca. Por ky llogaritje gjithmonë ka qenë e paplotë. Dhe tani, me gjeneratën e parë të diasporës shqiptare që ka arritur maturinë profesionale dhe sipërmarrëse, po bëhet e qartë se sa e paplotë ka qenë në të vërtetë. Krenar Komoni nuk e ndërtoi Tive-n, platformën teknologjike me vlerësim mbi gjysmë miliardi dollarë sepse sistemi e favorizoi. Përkundrazi, ai ia doli duke mbartur me vete kapitalin më të rëndësishëm: aftësinë për të parë mundësi aty ku të tjerët shohin boshllëqe. E njëjta histori përsëritet te Arber Sejdiji, sipërmarrësi nga Kosova që nga Zyrihu kontribuon në transformimin e retail-it global. Po ashtu, Eva Gjoni, Brendon Ahmeti i Synaps etj…Këta nuk janë përjashtime. Ata janë sinjalet e para të një fenomeni më të madh: kapitali shqiptar po krijon vlerë globale. Ky model, i profesinistit shqiptari që lëviz me natyrshmëri mes kulturave, tregjeve dhe standardeve të ndryshme profesionale, nuk është një rast i izoluar. Është model i replikueshëm. Ekonomistët e zhvillimit e kanë rishikuar prej kohësh konceptin e ‘’brain drain’’. Dëshmitë empirike, veçanërisht nga Azia Jugore dhe Lindore, tregojnë se diaspora e shkolluar dhe e suksesshme nuk është kapital i humbur; është kapital i investuar jashtë, me mundësi kthimi të lartë nëse kushtet vendase e lejojnë. India dhe Taivani e kuptuan këtë herët. Shqipëria po fillon ta kuptojë sidomos në këto vitet e fundit. Integrimi evropian do e ndryshojë ekuacionin strukturalisht. Kur kufiri institucional midis Tiranës dhe Brukselit do të shuhet me të gjitha implikimet e tij rregullatore, tregtare dhe financiare, diaspora shqiptare do të shndërrohet nga resurs human i shpërndarë në një rrjet strategjik të fuqishëm. Ata që njohin standardin evropian nga brenda, që operojnë në tregjet gjermane, zvicerane, britanike dhe amerikane, bëhen avangardë e natyrshme e ekonomisë shqiptare në ekspansion. Nuk kërkohet politikë e veçantë për t'i mobilizuar. Kërkohet vetëm që vendi t'i meritojë. Ekonomitë e shëndetshme nuk ndërtohen mbi heroizëm individual, ndërtohen mbi sisteme që e bëjnë suksesin të replikueshëm, jo rast të veçuar. Por narativa ka ndryshuar, dhe kjo në vetvete, ka rëndësi të madhe ekonomike. Tregjet reagojnë ndaj historive të besueshme. Investitorët ndjekin vendet që fillojnë të prodhojnë sukses të verifikueshëm, jo sepse janë sentimentalë, por sepse suksesi krijon kushtet për suksesin tjetër. Kapitali ndjek provat, jo premtimet. Shqipëria nuk po eksporton më vetëm njerëz dhe shërbime me marzh të ulët. Ka filluar të eksportojë kompetencë me vlerë të matur në dollarë. Dallimi nuk është i vogël. Është pikërisht ndryshimi midis një ekonomie në tranzicion dhe një ekonomie me drejtim.