Ringjallja e fshatrave shqiptare përmes agroturizmit! Pse ende nuk po mundemi të rivalizojnë destinacionet ndërkombëtare?
Agroturizmi po transformon fytyrën e fshatrave shqiptare, duke i kthyer ato në destinacione tërheqëse për turistët që kërkojnë autenticitet, lidhje me natyrën dhe traditën lokale. Në vetëm disa vite, sektori ka njohur një rritje të jashtëzakonshme, me më shumë se 200 oferta aktive, dhe pjesëmarrje të lartë të të rinjve dhe grave, duke rikthyer energji dhe jetë në komunitetet rurale. Megjithatë, sfidat mbeten të dukshme: standardet e shërbimit janë të fragmentuara, formalizimi i bizneseve i kufizuar, infrastruktura shpesh mungon, dhe kapitali njerëzor nuk garanton gjithmonë qëndrueshmëri dhe konkurrueshmëri në tregjet ndërkombëtare. Sofjola Kotelli nga GIZ Albania thekson se zhvillimi i agroturizmit kërkon rritjen e cilësisë dhe profesionalizmit, integrimin e natyrës, traditës dhe produkteve lokale, si dhe politika dhe investime që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe fuqizimin e grave. Ajo shpjegon se sektori ka shënuar rritje të qëndrueshme gjatë 6-7 viteve të fundit, duke u kthyer në motor zhvillimi ekonomik dhe social për zonat rurale. 51% e agroturizmave drejtohen nga të rinj dhe 21% nga gra, duke kontribuar në fuqizimin ekonomik dhe social të komuniteteve. Rreth 75% e investimeve janë private, ndërsa çdo agroturizëm bashkëvepron mesatarisht me 21 familje, duke ofruar një burim ekonomik për fermerët dhe prodhuesit e vegjël. Sfidat kryesore për konkurrueshmëri ndërkombëtare lidhen me certifikimin e fermave, standardet e shërbimit, formalizimin e bashkëpunimit me fermerët e vegjël, si dhe mbështetjen infrastrukturore. Agroturizmi kërkon lidhje të forta me bujqësinë, menaxhim familjar, përfshirje të komunitetit dhe investime në standarde. Platforma digjitale AGRITOURISM AL mbështet promovimin e ofertave, ndërsa sinergjia me Fondin Shqiptar të Zhvillimit po sjell investime infrastrukturore prej rreth 3 milionë eurosh në pesë fshatra pilot. Vitet e ardhshme kërkojnë konsolidim të turizmit, fokus në cilësi, qëndrueshmëri dhe rritje të të ardhurave për komunitetet lokale dhe bujqësinë. Autenticiteti, lidhja me bujqësinë, menaxhimi familjar, prania online dhe vizioni afatgjatë janë elementë kyç për sukses. Investimet publike dhe strategjitë lokale duhet të koordinohen për të krijuar oferta konkurruese dhe të qëndrueshme. Gratë në agroturizëm kanë bërë hapa të rëndësishëm dhe 21% e sipërmarrjeve drejtohen nga to, por sfidat strukturore, financiare dhe arsimore ende pengojnë suksesin e plotë. Mbështetja e qëndrueshme dhe trajnimet e personalizuara mund të shndërrohen në platformë për fuqizimin e grave në zonat rurale dhe zhvillimin e qëndrueshëm të agroturizmit.