--:--
--:--

Mes refuzimeve dhe ambicies, Aurora Kapo tregon si ndërtohet një karrierë globale në AI

Rrugëtimi profesional i Aurora Kapos është ndërtuar mbi kuriozitetin për të kuptuar botën përmes të dhënave, jo fillimisht mbi inteligjencën artificiale. E lindur në Itali dhe e rritur në Durrës, ajo studioi ekonometrikë dhe data science në Universitetin e Amsterdamit dhe më pas statistikë në Universitetin e Oksfordit. Një afrimi gradual me AI-në erdhi nga puna me modele statistikore dhe analiza të dhënash, duke shkuar drejt zgjidhjes së problemeve komplekse. Përvoja akademike në Oksford ndikoi thellësisht në mënyrën se si Aurora sheh teknologjinë. Ajo mësoi të mendojë kritikisht dhe të mos marrë asnjë model si të pakontestueshëm, duke kuptuar se AI ka kuptim vetëm kur lidhet me nevoja reale dhe impakt konkret. Puna me profesorë dhe studentë nga kultura të ndryshme e ndihmoi të zhvillojë një qasje gjithëpërfshirëse dhe të hapur ndaj ideve të reja. Ndërtimi i karrierës jashtë Shqipërisë lidhet me dëshirën për të qenë pjesë e ekosistemeve ku akademia dhe industria bashkëpunojnë ngushtë. Fillimet nuk kanë qenë të lehta; ajo u përball me sfidën e ndërtimit të rrjetit profesional dhe adaptimit në një kulturë pune konkurruese. Sot, si AI Strategy Manager në HSBC, Aurora fokusohet në pyetjen kryesore: jo vetëm “si funksionon modeli”, por “pse po ndërtojmë dhe çfarë vlere sjell”. Ajo thekson rëndësinë e përkthimit të aftësive teknike në vendime të qarta dhe të kuptueshme për jo-teknikët, si dhe ndërtimin e besimit për të maksimizuar impaktin. Megjithëse vepron globalisht, Aurora ruan lidhjen me komunitetin shqiptar dhe diasporën. Kjo u konkretizua në themelimin e Oxbridge Albanian Alumni Society, një komunitet mentorimi për të rinjtë shqiptarë që synojnë universitete dhe karriera ndërkombëtare. Për të, hapja e dyerve për të tjerët është mënyra më e mirë për të krijuar ndikim afatgjatë. Mesazhi i saj për të rinjtë që synojnë AI, fintech apo teknologji globale është i qartë: investoni në bazat e forta si matematikë, statistikë dhe programim, por mos nënvlerësoni aftësitë e komunikimit. Refuzimet janë pjesë e rrugëtimit dhe nuk tregojnë vlerën tuaj. Për Aurora-n, dimensioni etik i teknologjisë është kyç: pyetja nuk është çfarë mund të bëjmë me AI, por çfarë duhet të bëjmë.