--:--
--:--

Digjitalizimi në mikpritje, kusht për konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar

Rritja e fortë e turizmit në Shqipëri ka nxjerrë në pah një sfidë kryesore për sektorin e mikpritjes: niveli i digjitalizimit të proceseve dhe pagesave. Kjo ishte tema e panelit “Digjitalizimi i proceseve dhe pagesave në sektorin e mikpritjes”, i organizuar nga dev.al dhe Pago gjatë “Tourism Fair Albania 2026” dhe i moderuar nga Aurora Sulçe, ku përfaqësues të industrisë dhe ekspertë teknologjie diskutuan realitetin aktual dhe sfidat e ardhshme. Sipas Kristi Topuzit nga Hotel Mondial, sektori është në një fazë tranzicioni, ku strukturat e vogla, por edhe disa të mëdha, nuk janë ende digjitalisht të përgatitura. Mungesa e faqeve web dhe sistemesh të integruara krijon pengesa për turistin modern, i cili vlerëson fillimisht prezencën online të hotelit. Modeli tradicional – rezervime me telefon, procese manuale dhe mungesë sisteme të integruara – nuk mjafton më për një turizëm gjithnjë e më ndërkombëtar. Igli Gjelishti, themelues i dev.al, theksoi se përvoja e turistit nis që në momentin e kërkimit të hotelit dhe vazhdon deri në pagesë. Ai nënvizoi se mungesa e mundësisë për të paguar me kartë krijon pasiguri dhe lodhje. Ilirjana Bitri, përgjegjëse e devPMS, theksoi rolin e sistemeve të menaxhimit të hotelit (PMS) si bazë e organizimit modern, duke shmangur overbooking dhe gabime njerëzore dhe duke integruar rezervimin me pagesën dhe fiskalizimin. Gertjan Veshaj nga Hotel Valza shtoi se digjitalizimi rrit transparencën, koordinimin e stafit dhe kursen kohë dhe para, duke mundësuar menaxhimin e check-in dhe check-out edhe nga telefoni. Panelistët ranë dakord se pagesa me kartë është një moment kritik i përvojës së turistit, dhe implementimi i saj tërheq besimin dhe rrit efikasitetin. Rezistenca ndaj pagesave elektronike lidhet shpesh me informalitetin dhe perceptimin për komisionet, por reduktimi i tyre dhe detyrimi ligjor për pranim deri më 30 maj nga Banka e Shqipërisë do të nxisë adoptimin masiv. Zgjidhja e përbashkët dev.al & Pago, që kombinon menaxhimin, automatizimin, faturimin dhe pagesat online ose me POS, u paraqit si ofertë e plotë dhe unike për tregun. Paneli përfundoi duke theksuar se smart hospitality dhe personalizimi i shërbimeve përmes smartphone-ve dhe Inteligjencës Artificiale do të jenë pjesë e domosdoshme e konkurrueshmërisë rajonale. Mesazhi ishte i qartë: digjitalizimi nuk është luks, por kusht për rritje, transparencë dhe konkurrueshmëri. Në një rajon ku vendet e tjera janë përparuar, Shqipëria nuk mund të mbështetet më vetëm te çmimi i lirë; standardi digjital do të përcaktojë fazën e ardhshme të zhvillimit të turizmit.