--:--
--:--

Mirënjohja si praktikë mendore, jo si klishe motivuese!

Në diskursin bashkëkohor të biznesit, mirënjohja shpesh shihet thjesht si një praktikë për mirëqenien emocionale, por realisht ajo ka një ndikim thelbësor në vendimmarrjen e drejtuesve. Vendimet në biznes rrallë merren në kushte ideale; ato shpesh ndodhin nën presion, stres dhe pasiguri, ku gjendja emocionale e liderit përcakton shumë cilësinë e vendimeve. Valentina Rexhaj, mësuese meditimi, hipnoterapiste dhe mentore e shëndetit mendor, thekson se vendimet formohen gjithmonë nga gjendja e brendshme: nëse kjo gjendje dominohet nga frika, edhe vendimi do të jetë i kufizuar. Mirënjohja, sipas saj, qetëson mendjen dhe largon presionin, duke lejuar liderin të shohë më gjerë situatën, të identifikojë alternativa dhe të përqendrohet te zgjidhjet, jo vetëm te problemi. Kjo përkthehet në vendime më të menduara dhe më të qëndrueshme. Mungesa e mirënjohjes manifestohet kryesisht në dy mënyra: frikë e vazhdueshme nga humbja dhe identifikimi i tepërt i vlerës personale me suksesin profesional. Liderët që jetojnë me frikën e humbjes qëndrojnë në tension të vazhdueshëm, shpesh duke kontrolluar tepruar dhe duke pasur vështirësi për të besuar të tjerët. Po ashtu, kur njerëzit lidhin vlerën e tyre vetëm me atë që bëjnë, çdo sfidë emocionale bëhet më e rëndë. Në situata stresi dhe ndryshimi, mirënjohja vepron si stabilizues. Ajo ndihmon liderin të reagojë me vetëdije dhe jo nga frika, duke e bërë ndryshimin një proces menaxhues dhe jo një kërcënim personal. Valentina ndan shembullin e një drejtuesi biznesi që përmes praktikës së mirënjohjes dhe meditimit ndryshoi mënyrën e drejtimit të kompanisë. Brenda pak muajsh, produkte të mbetura në stok filluan të shiteshin, pasqyruese e një ndryshimi të qartë në energjinë dhe funksionimin e organizatës. Sipas saj, integrimi i mirënjohjes nuk kërkon metoda komplekse; ajo praktikohet thjesht përmes shkrimit të përditshëm, meditimit dhe krijimit të një kulture falënderimi brenda organizatës. Kur njerëzit ndihen të vlerësuar, ata punojnë më mirë. Mirënjohja, për Valentina Rexhajn, nuk është një koncept dytësor: ajo fuqizon qartësinë mendore, stabilitetin emocional dhe cilësinë e vendimeve. “Suksesi pa mirënjohje të lodh, ndërsa mirënjohja i jep kuptim edhe suksesit,” përfundon ajo, duke e bërë mirënjohjen një avantazh strategjik të padiskutueshëm për lidershipin modern.