--:--
--:--

Jo thjesht “djali/vajza i/e…”, liderët e rinj që po çojnë përpara trashëgiminë e biznesit familjar

Të rritesh me një mbiemër që peshon nuk është thjesht privilegj. Është një përgjegjësi e vazhdueshme. Është ndjesia se çdo hap që bën matet me sakrificat e dikujt tjetër dhe se çdo vendim që merr prek jo vetëm të ardhmen tënde, por edhe historinë e një familjeje, të një komuniteti dhe të qindra njerëzve që varen nga ajo trashëgimi. Brezi i dytë i liderëve shqiptarë po jeton pikërisht këtë realitet: mes respektit për themelet e ngritura me mund dhe guximit për të ndërtuar një kapitull të ri. Luis Ndreka në Lushnje, Alba Ruço në zemër të Tiranës dhe Drini Zusi në përpjekjen për të transformuar kulturën e kompanisë, nuk janë thjesht “fëmijët e…”. Ata janë pjesë e një brezi që ka zgjedhur të mos fshihet pas emrit të familjes, por ta forcojë atë me vizion, inovacion dhe përgjegjësi. Për ta, trashëgimia nuk është një kornizë që kufizon, por një bazë mbi të cilën duhet ndërtuar më tej. Dhe pikërisht në këtë ekuilibër mes traditës dhe së ardhmes po formësohet një brez që e kupton një të vërtetë të thjeshtë: emri mund të trashëgohet, por respekti fitohet çdo ditë. Luis Ndreka: përgjegjësia ndaj komunitetit Kur flet për biznesin familjar, Luis Ndreka nuk e sheh vetëm si një kompani apo një aktivitet ekonomik. Për të, është një ekosistem i tërë njerëzish që lidhen me suksesin e tij. “Kam kuptuar se ky biznes është një përgjegjësi e madhe kur kam parë se sa shumë njerëz kanë jetën e tyre të lidhur drejtpërdrejt dhe jo drejtpërdrejt me të. Qindra fermerë, punonjës të kompanisë, furnitorë – të gjithë varen nga suksesi i Lufrës,” rrëfen ai. Fabrika në Lushnje është më shumë se një vend prodhimi. Ajo është një faktor stabiliteti për komunitetin lokal. “Fabrika jonë është një arsye e rëndësishme për të mbajtur njerëzit në zonë, duke i inkurajuar të punojnë fermat e tyre dhe punonjësit të jetojnë aty. Kjo më ka bërë të kuptoj rëndësinë e rolit tim dhe përgjegjësinë për të siguruar që biznesi të vazhdojë të rritet dhe të jetë i qëndrueshëm.” Nga brezi i parë ai ka trashëguar disa vlera themelore: përkushtimin dhe disiplinën. “Kam parë nga prindërit se si ata kanë ndërtuar biznesin me shumë përpjekje dhe sakrifica dhe kjo më ka mësuar rëndësinë e punës së palodhur dhe përkushtimit ndaj qëllimeve të kompanisë.” Megjithatë, sipas tij, brezi i ri ka një rol tjetër: të sjellë fleksibilitet dhe inovacion. “Në një botë që ndryshon me shpejtësi, është e rëndësishme të jemi të hapur ndaj ideve të reja dhe të përshtatemi me ndryshimet.” Për Luisin, puna nuk ka qenë kurrë sakrificë. “Ndoshta sepse më pëlqen ajo që bëj. Puna është pjesë integrale e jetës dhe më ka dhënë shumë kënaqësi dhe përmbushje.” Por mesazhi nga brezi i parë ka qenë gjithmonë i qartë: kompania duhet të jetë më e madhe se individi. Vendimet nuk merren për rehati personale apo rezultate të shpejta, por për qëndrueshmëri afatgjatë. Për të rinjtë që do të marrin drejtimin e bizneseve familjare, këshilla e tij është e drejtpërdrejtë: “Mos mendoni se stafetën e merrni automatikisht. Respekti fitohet, nuk trashëgohet.” Alba Ruço: pesha e një emri Në momentet e para të përfshirjes në biznesin familjar, Alba Ruço kuptoi se “Argjendari Pirro” nuk ishte thjesht një emër familjar. Ishte një përgjegjësi. “Kujtimi i parë nuk lidhet me një moment të madh, por me një ndjesi që përsëritej shpesh kur shihja sa seriozisht trajtohej çdo detaj, çdo porosi dhe çdo premtim ndaj klientit,” tregon ajo. Në atë moment ajo kuptoi diçka të rëndësishme: suksesi nuk trashëgohet. Ai fitohet. “Argjendari Pirro nuk ishte thjesht një biznes, por një emër që mbante peshë, histori dhe besim.” Nga prindërit ajo ka përvetësuar disiplinën dhe respektin për cilësinë. “Asgjë nuk lihet në dorë të rastësisë.” Por sipas saj, lidershipi i brezit të ri duhet të ndryshojë në një drejtim të rëndësishëm. “Sot lidershipi nuk është vetëm autoritet. Është dialog, empati dhe aftësi për t’u përshtatur.” Rritja në një familje sipërmarrëse ka sjellë sakrifica. “Kam humbur një pjesë të spontanitetit dhe të rehatisë që kanë shumë fëmijë,” thotë ajo. Por ajo që ka fituar është shumë më e madhe: një sens i fortë përgjegjësie dhe një kuptim i hershëm i vlerës së punës. Një nga parimet që e udhëheq çdo ditë është i thjeshtë: “Emri ndërtohet me vite dhe mund të humbasë me një gabim.” Për Albën, balanca mes traditës dhe inovacionit është thelbësore. “Trashëgimia nuk është një kornizë që të kufizon, por një bazë që të lejon të ndërtosh më lart.” ADN-ja e kompanisë është e qartë: mjeshtëria, autenticiteti dhe cilësia. “Inovacioni nuk do të thotë ta mohosh këtë, por ta përkthesh në gjuhën e kohës.” Për brezat e rinj që do të marrin stafetën, këshilla e saj është e fortë: “Mos u fshihni pas emrit që mbani, por mos kini frikë as nga pesha e tij.” Drini Zusi: një lidership më i hapur Për Drini Zusin, rritja brenda një biznesi familjar nuk është thjesht një rrugë profesionale. Është një trajektore jetësore. Ai dhe vëllai i tij filluan të punonin në biznes që në para-adoleshencë, çdo verë për disa muaj. Por momenti që ndryshoi gjithçka erdhi në vitin 2021. Në moshën 23-vjeçare, pas largimit të drejtuesit të shitjeve, atij iu besua drejtimi i departamentit të shitjeve në tregun vendas. “Në gjashtëmujorin e parë ishte shumë e vështirë,” kujton ai. Sektori pati një rënie prej rreth 20%. Por më pas situata u stabilizua dhe biznesi rifilloi të rritet. Nga brezi i prindërve ai ka mësuar rëndësinë e analizës dhe qetësisë në vendimmarrje. Por vizioni i tij për lidershipin është paksa ndryshe. “Kam dëshirë të ndërtoj një kulturë më të hapur në kompani.” Sipas tij, një organizatë që nuk mbështetet te mikro-menaxhimi krijon më shumë motivim dhe performancë. Sakrificat? Për Drinin ato janë pjesë e zgjedhjes. “Të sakrifikosh normalitetin është diçka që unë e kam kërkuar gjithmonë.” Për të, suksesi nuk mund të vijë nga një jetë krejtësisht e zakonshme. Megjithatë, në qendër të filozofisë së tij mbeten vlerat. “Të bazuarit në vlera morale dhe etike është thelbësore për biznesin.” Ai beson se një kompani e ndërtuar mbi vlera është më e qëndrueshme në afatgjatë. “Inovacioni nuk bie në kundërshtim me trashëgiminë. Përkundrazi, një ADN e fortë është baza më e mirë për inovacion.” Për brezin e ri të liderëve, këshillat e tij janë shumë konkrete: Krijoni një set vlerash mbi të cilat nuk bëni kompromis. Në vitet e para bëni çdo gjë në kompani. Ndërtoni kulturën e duhur dhe mos lejoni askënd ta komprometojë atë.