--:--
--:--

Nga sherebela te vajrat esencialë, sa vlerë po krijon Shqipëria nga pasuria e saj botanike?

Shqipëria ka një nga pasuritë botanike më të rëndësishme të rajonit. Por sfida nuk është më vetëm sa bimë mund të mbledhë vendi në male e kodra. Pyetja më e rëndësishme është sa vlerë mund të krijojë Shqipëria prej tyre. Bimët mjekësore dhe aromatike nuk janë më thjesht një produkt tradicional që mblidhet, thahet dhe eksportohet. Ato janë pjesë e një zinxhiri që nis në natyrë ose në fermë dhe mund të përfundojë në industrinë ushqimore, kozmetike, të suplementeve, produkteve të mirëqenies apo farmaceutike. Sipas Centre for the Promotion of Imports from developing countries (CBI), Evropa mbetet një nga tregjet më premtuese për përbërësit natyralë të produkteve të shëndetit dhe mirëqenies. Kërkesa po mbështetet gjithnjë e më shumë te produktet me bazë bimore, origjinë të gjurmueshme dhe burim të qëndrueshëm. Edhe tregu i bimëve dhe erëzave po lëviz në të njëjtin drejtim, me kërkesa më të forta për prodhim të qëndrueshëm dhe certifikime. Në këtë treg, Shqipëria ka një avantazh që nuk mund të importohet: florën e saj. Vendi numëron më shumë se 400 lloje bimësh mjekësore dhe aromatike të identifikuara, ndërsa rreth 200 prej tyre mblidhen dhe tregtohen. Ndër produktet më të njohura janë sherebela, rigoni, trumza dhe livanda. Një studim i publikuar në vitin 2025 në Journal of Applied Research on Medicinal and Aromatic Plants e vlerëson sektorin shqiptar të bimëve mjekësore dhe aromatike në mbi 50 milionë euro në vit dhe rreth 25% të eksporteve bujqësore. Më shumë se 95% e bimëve të mbledhura për eksport, sipas studimit, përfundojnë në tregjet e huaja, kryesisht në SHBA dhe BE. Shifrat tregojnë një sektor eksportues, por njëkohësisht nxjerrin në pah edhe paradoksin: Shqipëria ka një pasuri që shitet jashtë vendit, por një pjesë e konsiderueshme e vlerës së saj krijohet ende jashtë Shqipërisë. Filip Gjoka, kryetar i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, e përshkruan vendin si një territor me potencial të jashtëzakonshëm. “Shqipëria është një vend i pasur me bimë aromatike-mjekësore. Ajo numëron mbi 450 lloj bimësh të ndryshme, nga të cilat 187 eksportohen jashtë”, thotë ai. Eksporti nuk është një fenomen i ri. Sipas Gjokës, bimët shqiptare kanë gjetur treg në Evropë që para viteve ’90 dhe kjo traditë ka vijuar edhe pas ndryshimit të sistemit. Sot, rreth 43% e eksporteve të sektorit shkojnë drejt SHBA-së, ndërsa pjesa tjetër shpërndahet kryesisht në vendet e BE-së, si edhe në tregje si Australia, Kanadaja dhe Singapori. Por hyrja në tregjet evropiane po bëhet më e vështirë. “BE ka vështirësuar eksportet drejt vendeve të tyre pasi ka vendosur rregulla të reja, standarde të reja dhe sidomos kohët e fundit me kërkesat për PA/TA. Gjithashtu, ata kërkojnë certifikime dhe analiza për çdo parti malli”, shprehet Gjoka. Në praktikë, kjo do të thotë se origjina shqiptare nuk është më e mjaftueshme. Për të konkurruar në tregjet më të rregulluara, biznesi duhet të provojë cilësinë, përbërjen, sigurinë dhe gjurmueshmërinë e produktit. Ndërkohë, një tjetër problem po shfaqet shumë më herët në zinxhir: mungesa e njerëzve që mbledhin bimët. Emigrimi nga zonat rurale dhe zhvendosja drejt qendrave urbane kanë reduktuar numrin e mbledhësve tradicionalë. Gjoka vëren se kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në grumbullimin e bimëve në zonat malore dhe kodrinore. Për këtë arsye, industria po i drejtohet gjithnjë e më shumë kultivimit të organizuar. Sherebela, rigoni, trumza, livanda dhe bimë të tjera po kalojnë gradualisht nga mbledhja e egër drejt prodhimit të kontrolluar. Por edhe kjo nuk mjafton. Halli më i madh i sektorit është ajo që ndodh pasi bima largohet nga mali apo ferma. Ylli Merja e ka përjetuar këtë industri që nga fëmijëria. “Historia jonë me grumbullimin dhe manipulimin e bimëve mjekësore ka nisur qysh kur ishim nxënës në shkollën fillore të fshatit”, tregon ai. Në atë kohë, bimët ishin pjesë e jetës së përditshme. Kamomili, mëllaga, lulkat dhe bari i bletës mblidheshin dhe çoheshin në shkollë. Më vonë, kjo njohuri tradicionale u shndërrua gradualisht në eksperiencë biznesi. Rruga ishte e gjatë: mbledhje, tharje, paketim dhe më pas shitje. Në vitin 2000, Merja kujton daljen në tregun e Tiranës. Paketimet ishin të thjeshta, etiketat shkruheshin me dorë dhe konsumatori ishte testi kryesor. “Mësuam çfarë donin qytetarët!”, thotë ai. Në vitin 2008, aktiviteti u regjistrua në QKB me objekt grumbullimin dhe përpunimin e bimëve mjekësore. Por një nga mësimet kryesore ishte se cilësia e produktit nuk fillon në fabrikë apo në paketim. Ajo fillon në momentin kur bima mblidhet dhe më pas varet nga mënyra se si thahet, ruhet dhe përpunohet. Sot, Merja synon një hap tjetër: industrializimin. “Tashmë po punojmë për ndërtimin e një objekti të ri për përpunimin e bimëve mjekësore”, shprehet ai. Pikërisht këtu nis ndryshimi mes një industrie që shet lëndë të parë dhe një industrie që krijon vlerë të shtuar. Shqipëria mund të eksportojë sherebelë të tharë. Por mund të eksportojë edhe vaj esencial sherebele. Mund të shesë bimë të thata, por edhe ekstrakte, përbërës për industrinë ushqimore, kremra, shampo apo produkte të tjera të standardizuara. Gjoka e sheh pikërisht në këtë drejtim të ardhmen e sektorit. “Sektori ynë po sheh mundësinë e përpunimit dhe prodhimit për të shkuar drejt ekstrakteve, kremrave apo shampove”, thotë ai. Ky transformim kërkon investime në teknologji, laboratorë, certifikime, standardizim dhe kapacitete prodhuese. Por pikërisht këto janë hallkat që mund të mbajnë një pjesë më të madhe të vlerës brenda ekonomisë shqiptare. Nëse një kilogram bimë shitet si lëndë e parë, vlera e krijuar është e kufizuar. Nëse e njëjta bimë përpunohet në vaj esencial, ekstrakt, përbërës kozmetik ose produkt të markuar, zinxhiri ekonomik zgjatet dhe vlera e saj rritet. Kjo është edhe sfida që Shqipëria duhet të përballojë në raport me tregun evropian. Gjurmueshmëria, certifikimet dhe analizat nuk duhet të shihen vetëm si pengesa për eksportin. Ato janë pjesë e standardit që kërkohet për të kaluar nga një furnizues i lëndës së parë në një prodhues të integruar në zinxhirët evropianë të vlerës. Në këtë kuptim, pasuria botanike e Shqipërisë është vetëm pika e nisjes. Sektori ka një traditë të konsoliduar, një bazë të pasur natyrore dhe tregje ndërkombëtare ku tashmë njihet. Por potenciali i tij i vërtetë do të matet jo vetëm nga sa tonë bimë eksportohen çdo vit, por nga sa produkte, marka dhe procese përpunimi mund të krijohen brenda vendit. Merja e sheh këtë pasuri edhe përtej ekonomisë. “Ne duam të tërheqim të huajt pranë kësaj perle bimore! T’u japë Shqipëria edhe atyre mrekullitë shëruese shqiptare!”, shprehet ai. Në fund, pyetja nuk është nëse Shqipëria ka bimë të mjaftueshme. I ka. Pyetja është nëse do të vazhdojë t’i shesë kryesisht si lëndë të parë apo do të ndërtojë mbi to një industri të produkteve me vlerë të shtuar. Sepse në një treg evropian ku origjina, gjurmueshmëria, qëndrueshmëria dhe standardizimi po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme, avantazhi natyror nuk mjafton. Ai duhet të shndërrohet në teknologji, përpunim, certifikim dhe markë. Shqipëria e ka florën. Sfida e radhës është të mbajë më shumë nga vlera e saj brenda vendit.