--:--
--:--

Hotelet e markave ndërkombëtare në Shqipëri: treg me klimë pozitive apo sfidë në zhvillim?

Hyrja e markave ndërkombëtare te hotelerise në Shqipëri sinjalizon një treg që rritet, por ende kërkon standarde më të forta. Tirana, bregdeti dhe zonat me potencial turistik po tërheqin investitorë, ndërsa konkurrenca nuk matet më vetëm me numrin e dhomave apo vendndodhjen, por me standardin, eksperiencën dhe besueshmërinë që hoteli krijon te klienti. Elona Gjondedaj, CEO dhe General Manager e Mercure Tirana Entry dhe Novotel Tirana City, e sheh Shqipërinë jo më thjesht si destinacion me potencial, por si treg që po maturohet. Markat ndërkombëtare sjellin standarde, sisteme menaxhimi, trajnime dhe pritshmëri të reja për shërbimin. Kjo rrit presionin mbi operatorët vendas, por edhe e ndihmon tregun të ngjitet në një nivel më të lartë. Rogner Hotel Tirana paraqitet si shembull i një hoteli që ka ndërtuar reputacion mbi standarde ndërkombëtare që nga viti 1995. Sipas përfaqësuesve të tij, hyrja e brand-eve të reja nuk e dobëson pozicionin e hoteleve ekzistuese, por rrit standardet dhe pritshmëritë e tregut. Në vijim, pesha bie te fakti se sfida kryesore mbetet kapitali njerëzor. Një treg mund të ketë ndërtesa moderne dhe investime të mëdha, por pa staf të trajnuar dhe cilësi të qëndrueshme nuk krijon industri mikpritjeje. Fitues do të jenë ata që kuptojnë tregun vendas dhe pritshmëritë ndërkombëtare.