Nga një event te një industri, çfarë i duhet Shqipërisë për të kthyer spektaklin në ekonomi
Eventet e mëdha, produksionet audiovizive dhe organizimet ndërkombëtare po kthehen gradualisht në një segment ekonomik më vete në Shqipëri. Tre zëra të industrisë; nga muzika, produksioni dhe fusha audiovizive ndajnë një këndvështrim të përbashkët: potenciali ekziston, por ekosistemi ende po ndërtohet. Klodian Makashi, nga RedCloud dhe pjesë e organizimit të koncertit të Kanye West në Tiranë, ndër produksionet muzikore më të mëdha të parë ndonjëherë në vend thekson se vlera ekonomike e një eventi shkon shumë përtej biletave: një vizitor i huaj fle në hotel, përdor transportin, konsumon në restorante dhe shpesh e kombinon eventin me qëndrimin turistik. Sipas tij, që kjo të kthehet në industri të qëndrueshme e jo në përjashtim një herë në disa vjet, nevojiten një kalendar eventesh të parashikueshëm, modele bashkëpunimi publik-privat, standardizim operacional (menaxhim turme, siguri, akreditim) dhe investime në infrastrukturë të dedikuar për koncerte të mëdha. Elda Gjoka, producente ekzekutive e koncertit-recital "Përtej Muzikës" të Grupit BURN (3–4 nëntor, Salla e Koncerteve, UART), sjell perspektivën e ndryshimit në marrëdhënien markë-publik. Sponsorizimi tradicional po zëvendësohet nga partneritete të integruara që ndërtohen që në fazën e konceptimit të eventit, jo në fund si element reklamues. Pyetja që i intereson sot një marke, thotë ajo, nuk është më "sa njerëz do ta shohin logon", por "çfarë do të kujtojnë e tregojnë njerëzit pas eksperiencës" ; një zhvendosje nga ekspozimi te ndërtimi i komunitetit dhe eksperiencave hibride, fizike e digjitale njëkohësisht. Roland Plaku, regjisor dhe producent me 26 vjet përvojë në televizion, sjell dimensionin e prodhimit të përmbajtjes: seriali "KIN 3", i tij, arriti 5.7 milionë shikime vetëm në muajt maj–qershor në YouTube, platformë që ai e përshkruan jo si "televizioni i ri" por si medium krejtësisht i ndryshëm, ku publiku, jo transmetuesi vendos programacionin. Plaku vë në pah edhe rolin e Inteligjencës Artificiale si mjet që po "demokratizon" industrinë, duke lejuar ekipe të vogla shqiptare të prodhojnë me buxhete dukshëm më të vogla se më parë, pa zëvendësuar megjithatë vlerën e historisë dhe të personazheve autentikë. Së bashku, këto tri këndvështrime skicojnë të njëjtën tezë: Shqipëria ka talentin, energjinë dhe rastet e para të suksesshme; asaj që i mungon ende është infrastruktura e qëndrueshme fizike, institucionale dhe teknologjike për ta kthyer eventin e madh nga rast i izoluar në traditë.