--:--
--:--

Verërat shqiptare, një trashëgimi e lashtë mes tokës, historisë dhe identitetit

Shqipëria, si një vend tipik mesdhetar, gëzon kushte natyrore të jashtëzakonshme për kultivimin e hardhisë. Klima, relievi i larmishëm, ekspozimi i favorshëm ndaj diellit dhe tokat argjilore–silicore kanë krijuar ndër shekuj një mozaik unik vreshtash dhe verërash, të lidhura ngushtë me historinë, kulturën dhe identitetin e vendit. Sipas ndarjes agroklimatike, territori ndahet në katër zona kryesore vreshtarie: zonat fushore bregdetare deri në 300 m mbi nivelin e detit, zonat kodrinore 300–600 m, zonat nënmalore 600–900 m dhe zonat malore 800–1000 m, më të kufizuara në sipërfaqe, por me potencial cilësor të veçantë. Kjo larmi territoriale është baza mbi të cilën po ndërtohet sot identiteti modern i verës shqiptare. Sipas Dashamir Elezit, President i Shoqatës së Sommelierëve Shqiptarë, gjatë dy dekadave të fundit vera shqiptare ka përjetuar një transformim real cilësor:“Verërat shqiptare, në dy dekadat e fundit, kanë pësuar një rritje të ndjeshme të cilësisë, falë mbështetjes teknike të Somelierisë Shqiptare dhe bashkëpunimit me profesionistë ndërkombëtarë në proceset e prodhimit dhe stabilizimit. Sot, pas përpjekjeve të para të viteve të tranzicionit, verërat shqiptare mund të konsiderohen produkte që përmbushin standarde të larta ndërkombëtare.” Ky përmirësim nuk është thjesht perceptim, por i dokumentuar nga vlerësimet në konkurse rajonale dhe botërore:“Medaljet e arta, të argjendta dhe bronzi në konkurse ku marrin pjesë qindra prodhues nga e gjithë bota kanë peshë reale në ndërtimin e reputacionit të verërave ‘Made in Albania’,” – thekson Elezi, duke përmendur kantina si Mënea Korçë, Belba, Zika, Arianiti, Faba, Nurellari, Max Mavrud, Dervishi, Bello, Kallmeti, Balaj dhe Alpeta. Identiteti i verës shqiptare po ndërtohet mbi pasurinë e varieteteve autoktone. Për Elezin, ky është dallimi strategjik i Shqipërisë në raport me tregjet ndërkombëtare: “Çelësi i suksesit të verërave shqiptare është të qenit autoktone. Kultivarët tanë janë më të përshtatur me klimën dhe tokën shqiptare sesa varietetet ndërkombëtare. Ne nuk mund të konkurrojmë lehtësisht me Riesling-un, Chardonnay-n apo Cabernet-in e vendeve me traditë shekullore në këto varietete, por bota është ‘e etur’ për shije autentike.” Sipas tij, ndërtimi i identitetit nuk vjen nga imitimi:“Tregu botëror kërkon cilësi, çmim dhe siguri. Askush nuk ka kohë të eksperimentojë. Identiteti ynë duhet të ndërtohet mbi kultivarët vendas, me vazhdimësi cilësie dhe rigorozitet teknik.” Një nga sfidat kryesore të verës shqiptare mbetet perceptimi në tregjet e huaja. Sipas Elezit, cilësia e sotme është shpesh më e lartë se imazhi që ka vera shqiptare jashtë vendit: “Vera duhet provuar pa paragjykim dhe krahasuar në të njëjtat kushte me verëra të së njëjtës kategori. Profesionistët ndërkombëtarë që e kanë bërë këtë flasin për një potencial të lartë dhe ende të pashfrytëzuar të verërave shqiptare.” Edhe reagimi i tregjeve e konfirmon këtë: “Çdo verë shqiptare e eksportuar është vlerësuar pozitivisht dhe ka krijuar kërkesa të mëtejshme. Edhe diaspora shqiptare luan rol të rëndësishëm në promovimin e verës sonë në tregjet ku jeton.” Edhe pse në sasi ende modeste, verërat shqiptare tashmë kanë depërtuar në tregje si SHBA, Europa Veriore, Kina dhe Japonia. Elezi përmend disa nga etiketat dhe kantinat që po ndërtojnë këtë prani ndërkombëtare, si: Mënea, Belba, Nurellari, Arianiti, Zika, Faba dhe Bello, duke theksuar se eksporti sot është më shumë një proces i ndërtimit të besimit sesa thjesht i shitjes së produktit. Në një treg gjithnjë e më global, historia e kantinës nuk është më faktori kryesor vendimmarrës: “Sot, mbi 90% e vlerësimit të një vere në tregjet e huaja lidhet me cilësinë e produktit në tërësinë e saj dhe me konsistencën e prodhimit nga viti në vit. Historia e kantinës ka peshë shumë më të vogël, sidomos për prodhues relativisht të rinj,” – shprehet Elezi. Shoqata e Sommelierëve Shqiptarë ka luajtur një rol praktik në zhvillimin e sektorit: “Që nga viti 2005 kemi krijuar ura bashkëpunimi me profesionistë ndërkombëtarë, kemi zhvilluar trajnime profesionale për somelierë dhe kantinierë, kemi ngritur laboratorin e parë enologjik me asistencë nga profesorë italianë dhe kemi mbështetur drejtpërdrejt kantinat shqiptare në konkurse dhe panaire si Verona dhe Bordeaux.” Sipas tij, çdo vit përgatiten të paktën 20 somelierë të rinj dhe ofrohet asistencë teknike direkte për prodhuesit në kantinat e tyre. Në këtë fazë të re zhvillimi, edhe platforma ExportOn po shfaqet si një hallkë mbështetëse për eksportuesit shqiptarë, duke ndihmuar në monitorimin e performancës së eksporteve, certifikimet ndërkombëtare dhe uljen e barrierave doganore. Për prodhuesit e verës, kjo përkthehet në më shumë dukshmëri, besueshmëri dhe mundësi reale për pozicionim në tregjet e Bashkimit Europian. Në fund, Elezi e përmbledh verën shqiptare me tre fjalë: “Territor – Autenticitet – Jetëgjatësi.” Nga mozaiku i vreshtave mesdhetare te medaljet në konkurse ndërkombëtare, nga kultivarët autoktonë te platformat moderne të eksportit, vera shqiptare po kalon nga një histori lokale në një narrativë globale. Sfida mbetet konsistenca dhe ndërtimi i besimit afatgjatë në tregje, por baza tashmë ekziston. “Made in Albania” në verë nuk është më thjesht një origjinë gjeografike, por po kthehet gradualisht në një identitet që reflekton cilësinë dhe origjinalitetin e shijes!