Generated by

--:--
--:--

Dorian Kane: Shqipëria ende e papërgatitur për stablecoins dhe kriptomonedhat

Në nivel global, stablecoins dhe koncepti i euros digjitale po transformojnë mënyrën e pagesave dhe transfertave. Stablecoins janë kriptomonedha të lidhura me vlerën e monedhave reale, si dollari apo euro, duke ofruar stabilitet krahasuar me kriptovalutat e tjera. Kapitalizimi i tyre tejkalon 250 miliardë dollarë, ndërsa euroja digjitale, ende në fazë projektimi, synon të funksionojë si para elektronike për pagesa të përditshme dhe ndërkufitare. Eksperti i kriptomonedhave, Dorian Kane, thekson se Shqipëria është ende larg adoptimit të këtyre teknologjive. “Ekonomia jonë mbizotërohet nga cash-i, sistemi bankar nuk ka investuar mjaftueshëm në infrastrukturë digjitale, dhe përdorimi i portofolave elektronikë është i kufizuar,” shprehet ai. Mungesa e edukimit financiar dhe teknologjik e thellon hendekun mes tregut vendas dhe inovacionit global. Përsa i përket euros digjitale, Kane shprehet se, duke qenë se euro përdoret gjerësisht në Shqipëri, kjo mund të ishte një rrugë natyrale për pagesa më të lehta dhe transaksione ndërkombëtare. Por sfidat mbeten: stabiliteti i lekut dhe menaxhimi i dy monedhave paralelisht. Sipas Kane, mungesa e ligjeve specifike për kriptomonedhat dhe kapaciteteve teknologjike e bën të pamundur për momentin zhvillimin e një tregu të qëndrueshëm. Ai vlerëson se Shqipëria mund të arrijë nivelin rajonal brenda 5–10 vjetësh, përmes investimeve në infrastrukturë digjitale, edukim financiar dhe legjislacion modern. Stablecoins dhe euroja digjitale paraqesin një mundësi historike, por realizimi i saj kërkon hapa të qartë dhe strategjikë.