Article

Generated by

--:--
--:--

Fitim Adili sjell përvojën dhe ekspertizën e tij në një libër dedikuar sipërmarrjes

Fitim Adili është inxhinier softueri, konsulent biznesi dhe autor i librit “Një bukë për Biznis”. Vjen nga Tërnoci i madh, një fshat shqiptar në jug të Serbisë. Në vitin 2001, ai dhe familja e tij migruan në Kosovë, ndërsa para tre vitesh emigroi në Hamburg, Gjermani.

Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Prishtinë dhe pastaj ka filluar karrierën si zhvillues softuerësh, duke vazhduar më pas si konsulent biznesi për startups në ICT.

Me mbi 9 vite përvojë në fushën e teknologjisë informative dhe biznesit, Fitimi është përqëndruar në ndihmën e bizneseve, që fokus kanë zhvillimin e biznesit të tyre në nivel ndërkombëtar, veçanërisht në tregjet gjermanofolëse dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fitimi është bashkëthemelues i komunitetit Shqip ++ në Hamburg, i cili përfshin mbi 50 ekspertë/e shqiptarë të fushës së teknologjisë informative, dhe themelues i komunitetit online #fitimadiliandfriends, komunitet që ndihmojnë njëri-tjetrin në gjetjen e punës dhe ndarjen e mundësive të reja për zhvillim personal dhe në karrierë, me fokus në profesione të teknologjisë informative.

Libri "Një bukë për Biznis" është libri i parë i Fitimit, i botuar në fillim të vitit 2024, është një libër-udhëzues për sipërmarrësit e rinj dhe profesionistët që duan të zhvillojnë biznesin e tyre në nivel ndërkombëtar dhe jo vetëm. Libri përbëhet nga pesë kapituj, të cilët përmbajnë informata të vlefshme mbi brendin personal, komunikimin më efikas me shkrim, ide dhe linqe për të gjetur klientë ndërkombëtarë, si dhe një kapitull të dedikuar për punën remote dhe freelance.

Libri mund të shërbejë si një udhërrëfyes për ata që synojnë të bëhen zhvillues biznesi, sipërmarrës, sipërmarrës social, udhëheqës komuniteti, apo që dëshirojnë të ndërtojnë një brand personal.

Libri është i disponueshëm në të gjitha pikat e librarisë “Buzuku” dhe “Toena-Artini” në Prishtinë, si dhe mund të porositet online nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, përmes librarive të lartcekura. Libri është duke u përkthyer në gjuhën angleze dhe në mes të vitit 2025 do dalë edhe në shitje për lexuesin anglishtfolës.

Pyetje :Çfarë sfidash hasët gjatë migrimit tuaj në Gjermani në vitin 2021?

Në vitet 2018 dhe 2019, pata fatin të vizitoj për herë të parë Gjermaninë, përmes programit të punës verore për student. Puna ime e parë ishte kuzhinier në Burger King. Gjatë këtyre dy viteve nisa të njoh, jo vetëm një botë të re pune, por edhe një kulturë të re jetese. Ky ishte vetëm një episod i përkohshëm në rrugëtimin tim, pasi u ktheva në Kosovë për të përfunduar studimet në inxhinieri elektrike dhe kompjuterike. Kjo eksperiencë dhe eksperienca përpara këtij kapitulli, ajo që kisha bashkëpunuar si freelancer me kompani nga Gjermania dhe Zvicra, më lehtësuan migrimin që bëra më vonë në vitin 2021.

Në vitin 2021, kur përfundova studimet, vendosa të migroja drejt Gjermanisë, bashkë me familjen. Ky migrim, i cili për shumëkënd tingëllon si ëndërr, për mua u kthye në një sprovë të vërtetë derisa u realizua.

Pandemia kishte mbërthyer botën, gjuha ime gjermane ishte e kufizuar dhe kufijtë ishin të mbyllur. Kompanitë refuzonin të punësonin individë nga jashtë dhe për më tepër bashkëpunimet biznesore që kisha ndërtuar ndër vite tanimë nuk investonin në marketing, si rezultat mbeta pa punë. Për këto arsye fillova një maratonë të aplikimeve, mbi 1700 kompani kërkova punë, duke pritur për një përgjigje pozitive punësimi… Kontrata e parë erdhi pas një muaji aplikimesh, por mbeti pezull nga kufizimet e udhëtimit, kështu që m’u desh të vazhdoja me aplikime. Vazhdonin të vinin edhe propozime punësh, kontrata e dytë dhe e tretë erdhën pas disa muajsh, por prapë asnjëra nuk u realizua, për shkak pamundësisë për udhëtim.

Pas 1700+ aplikime erdhi puna e parë, e cila ishte remote. Edhe pse u duk si punë e ëndrrave në fillim, kjo ëndërr nuk zgjati gjatë, vetëm 3 muaj e gjysmë. Projektet që punoja përfunduan dhe m’u kërkua të prisja disa muaj për të rifilluar prapë. Por, unë nuk prita. Menjëherë pas saj rifillova aplikimin dhe fatmirësisht pas 10 ditëve gjeta punën në kompaninë që sot e asaj dite ende punoj. Migrimi besoj në thelb, përpos që është një udhëtim fizik është një udhëtim shpirtëror e kulturor. Një ndarje e dhimbshme nga gjithçka që njeh dhe dashuron në vendlindje. Largimi nga prindërit, nga vendlindja, nga miqtë më të mirë, është një plagë që koha e zbut, por nuk e shëron plotësisht asnjëherë. Hamburgu me klimën e tij të ashpër dhe të ftohtë, më sfidoi në çdo aspekt.

Pasi u stabilizova profesionalisht, takova Gramozin, mikun që njoha në Hamburg. Nga bisedat tona lindi ideja e ringjalljes së komunitetit "Shqip ++", një komunitet ICT për shqiptarët në Hamburg. Ky komunitet u bë burim i rëndësishëm mbështetjeje dhe përkrahjeje mes pjesëtarëve, ku, përveç takimeve fizike, ndihmojmë njëri-tjetrin nëpërmjet komunikimit online, duke ndarë jo vetëm mundësi, por edhe një pjesë të identitetit tonë të përbashkët.

Pyetje :Cilat janë objektivat e krijimit të këtij komuniteti?

Po, kam bashkëthemeluar dy komunitete “Shqip ++” dhe “#fitimadiliandfriends”, dy komunitete të ndryshme, por të dy komunitetet janë rreth ICT-së. “Shqip++” ka qëllim kryesor bashkimin e shqiptarëve që jetojnë në Hamburg. Komunitetet lindin dhe mirëmbahen nga nevojat që krijohen në shoqëri. Duke pasur parasysh që njerëzit lëvizin vazhdimisht, dikush migron dhe dikush kthehet në vendlindje, besoj që objektivi është të jetë aktiv si komunitet dhe të jetë vend ndihme e bashkëpunimi mes anëtarëve. Kurse #fitimadiliandfriends është një komunitet që ka në fokus edukimin dhe ndarjen e njohurive dhe mundësive për punësim/praktikë/shkollim mes anëtarëve.

Pyetje :Si mendoni se do të ndikoni tek audienca me librin që keni botuar së fundi?

Gjatë karrierës sime deri tani kam eksperimentuar me shumë profesione, të gjitha rreth ICT-së dhe biznesbërjes (me disa përjashtime). Biznesi dhe marketingu kanë qenë pasionet e mia që nga mosha e re. Jam rritur në një fshat ku tregtia dhe biznesi ishin sinonime të vendit dhe të gjithë fshatarët njiheshin si tregtarë të zotë. Ishte interesante se, pavarësisht se çfarë profesioni përfundonin, shumica e bashkëfshatarëve në një periudhë të jetës së tyre ishin tregtarë.

Kur fillova të përpiqesha të përfitoja materialisht nga pasioni im, programimi i web-faqeve të internetit dhe digjitalizimin e bizneseve, përveç njohurive që kisha në programim, më duhej të mësoja edhe për procesin e shitjes dhe biznesbërjes. Kam punuar si solopreneur për disa vite, por gjithashtu kam ndihmuar, këshilluar dhe mentoruar disa biznese që nga viti 2015 deri më sot. Gjithmonë kam besuar dhe besoj se ndërmarrësit shqiptarë kanë dijen dhe potencialin për të depërtuar në tregjet ndërkombëtare.

Po rikthehem te libri: Kam pasur shumë pyetje që nga viti 2015 rreth biznesbërjes dhe sidomos depërtimit në tregun ndërkombëtar.

Për t’i ndarë dijet e fituara gjatë këtyre viteve, po edhe për të mësuar prej të tjerëve, kam filluar të shkruaj për këto tema që nga viti 2021 në LinkedIn. Besoj shumë në ndarjen e njohurive mes njerëzve dhe motivi kryesor ka qenë t’i nxis edhe të tjerët të ndajnë dijet që kanë, jo vetëm në biznes. Por, para së gjithash, duhej të veproja vetë diçka të tillë përpara se t'i ftoja të tjerët ta bënin. Për këtë arsye, të gjitha dituritë dhe përvojat tentova t’i përmbledh në librin “Një bukë për Biznis”. Librin ia kam dedikuar babait tim të ndjerë, i cili gjatë gjithë jetës së tij ka ndarë dijet me të tjerët. Ai e ka bërë këtë edhe përmes dhurimit të shumë librave, por edhe përmes këshillave që nuk ka përtuar asnjëherë t’i ndajë me të tjerët.

Libri mund t’u shërbejë ndërmarrësve dhe atyre që dëshirojnë të bëhen ndërmarrës, por jo vetëm. Kapitujt në libër janë për brandin personal, komunikimin (me fokus te komunikimi me shkrim), profesionalizmin dhe kompetencat. Kam tentuar të ndaj këshilla nga udhëtimi im në karrierë dhe të ofroj ide dhe praktika që kanë funksionuar ose ato që nuk kanë funksionuar për mua. Kapitulli i katërt i dedikohet zhvillimit të biznesit ndërkombëtar, ku lexuesi do të ketë mundësi të gjejë këshilla praktike, duke përfshirë edhe linqe dhe hapa konkretë se si mund të gjejë të dhëna për klientët ndërkombëtarë dhe si t’i synojë ata për t’i bërë klientë. Kapitulli i fundit u dedikohet personave që dëshirojnë të gjejnë një punë në distancë, ose dëshirojnë të fillojnë një karrierë freelance/solopreneur.

Pyetje :Nëse do të përzgjidhni 3 mesazhe nga libri, cilat janë ato?

Guxo të eksperimentosh në karrierë. Guxo të bësh pyetje që të ndihmojnë të njohësh veten. Guxo të provosh në biznes/produktin/shërbimin që ofron në atë që të tjerët i shmangen.

Pyetje :Cilat janë planet dhe objektivat tuaja në të ardhmen ?

Përmes librit dhe postimeve në LinkedIn do tentoj të ndaj njohuritë edhe me audiencën ndërkombëtare, por gjithsesi të vazhdoj t'i ndaj ato me audiencën shqipfolëse. Libri i parë tashmë ka filluar të përkthehet edhe në gjuhën angleze. Besoj që në një të ardhme do të përkthehet edhe në gjuhën gjermane.

Gjithashtu, prej disa muajve kam filluar librin e dytë, “#bevisible”; #behuidukshëm”, një libër që synon t'i ndihmojë dhe nxisë njerëzit të njohin veten nga aspekti profesional dhe të shfaqin punën dhe talentin e tyre para botës. Të tentoj t’i ndihmoj të tjerët të bëjnë “unlock” potencialin e tyre. Do vazhdoj ndërkohë të ndihmoj veten, duke ndihmuar të tjerët, përmes shkrimeve dhe aktiviteteve që lidhen me edukimin dhe ICT-në.

Pyetje :Nga profili juaj rezulton që jeni edhe folës, cilat janë fushat tuaja të ekspertizës, për të cilat ndani njohuri me të tjerët?

Si folës publik kam filluar vitet e fundit. Është gjithmonë kënaqësi të marr pjesë në organizime/konferenca/workshope, ku mund të takoj miqtë që i njoh online dhe të takohem me ta edhe fizikisht. Temat kanë të bëjnë kryesisht me ICT, por gjithashtu kam shumë pasion të flas për ndërtimin e komuniteteve. Zhvillimi i biznesit, rëndësia e të qenurit i dukshëm me punën që bën dhe këshillat rreth zhvillimit të karrierës në ICT janë tema që i pranoj gjithmonë me shumë kënaqësi kur më bëhet ftesë për të qenë folës.

Pyetje :A keni ndonjë mesazh për të rinjtë në fillimet e karrierës së tyre?

Mesazhi im për to është që të pyesin 1000 vetë, por në fund të vendosin ashtu siç e dinë dhe e duan vetë. Eksperimentimi me profesione dhe fusha të ndryshme më ka ndihmuar shumë në karrierë, prandaj edhe e rekomandoj. Të fillojnë sa më herët të kontribuojnë dhe të angazhohen në komunitete në fushat që kanë pasion dhe jo vetëm. Të shfrytëzojnë sa më shumë mundësitë për edukim dhe praktika që u ofrohen. Por, mbi të gjitha, të mos ndalin leximin dhe vetëzhvillimin. Nuk ka investim më të mirë që mund të bëjë njeriu sesa në vetëzhvillim. Vetëzhvillimi është diçka që duhet ta synojmë të gjithë dhe gjatë gjithë jetës.

Ndërkohë, të gjejnë një mentor sa më shpejt. Mund të jetë dikush i njohur, ose familjar në fushën që synojnë të bëjnë karrierë, dikush që i besojnë dhe që i ndihmon në udhëzimin e tyre në karrierë. Këshilla tjetër është të guxojnë të hulumtojnë dhe të njohin veten sa më mirë dhe sa më herët. Sa më herët ta gjejnë atë që vërtet janë të mirë në të dhe ta bëjnë atë punë me shumë dashuri, aq më shpejt do të arrijnë suksesin në karrierë.

Po ashtu, të mos dorëzohen para sfidave dhe të jenë të kënaqur me hapat e vegjël të suksesit. Të pyesin për atë që nuk dinë, pasi pyetja është nëna e dijes. Të jenë mendjehapur ndaj teknologjive dhe njohurive të reja, sidomos në epokën e përdorimit masiv të AI-së dhe mjeteve rreth saj.