Article

Generated by

--:--
--:--

Ravajol Hasani, çdo pjatë një projekt i ri

Kushina dhe pjatat e veçanta e kanë bërë atë qytetar të botës. Ravajol Hasani zotëron sot një kompani të përmasave ndërkombëtare në fushën e zhvillimit të restoranteve, gastronomisë. Ravajoli ka fituar dhjetëra çmime ndërkombëtare. Ai u rendit në top listën e gastronomisë botërore si ambassador kulinarie për vitin 2021 dhe është vlerësuar si një nga 150 shefat më të mirë në botë. I angazhuar së fundi në New York, ai tregon rreth projekteve dhe pasioneve të tij.

Pyetje :Ku po operoni aktualisht?

Kompania ime operon në të gjithë botën në fushën e turizmit e gastronomisë, duke ndryshuar mentalitetin e artit të ushqimit. Krahas kësaj, unë kam disa projekte që angazhohem, të cilat kanë të bëjnë me restorante dhe hotele. Këtu përfshihen trajnime stafi, ndryshime dhe krijime të menuve të reja, sisteme ushqimore, operative dhe organizime. Ndërkohë, mbuloj evente nga të gjitha llojet.

Pyetje :Cilat janë trendet e klientëve, si po ndryshojnë shijet e tyre?

Janë shumë të veçanta, kanë të bëjnë me shije specifike dhe pjekje të sakta, të cilat lidhen me prezantimet delikate të ushqimit.

Pyetje :Ka shumë shqiptarë në fushën e restoranteve, kryesisht në Amerikë. A janë ata vërtetë të mirë?

Sigurisht që shqiptarët shkëlqejnë në USA dhe në çdo cep të botës. Kanë pasione, janë punëtorë, ndërtojnë standarde të larta, zhvillohen dhe na bëjnë krenarë gjithmonë. Investojnë këtu në USA në çdo fushë, në resorante, në fushën e ndërtimit, në muzikë, art dhe shumë të tjera.

Pyetje :Cilat janë projektet tuaja më të veçanta? Çfarë ju dallon më së shumti?

Çdo projekt për mua është i veçantë. Mundohem të krijoj pjata unike dhe gjithmonë të ndryshme. Çdo projekt në çdo cep të botës ka një menu tjetër. Unë fokusohem shumë në sezone, kështu dhe krijoj pjata sipas stinëve. Elementët e mi janë gjithmonë më europiane. Ato bazohen në kulturat nordike dhe franceze dhe përfundojnë në shije mesdhetare.

Pyetje :Ku janë të shtrira angazhimet tuaja?

Restorantet dhe projektet janë në shumë vende dhe shtete, si Shqipëri, Kosovë, Greqi, Qipro, Gjermani, Danimarkë, Itali, Kanada, USA. Për më tepër, sa po vijnë dhe po hapen akoma të tjera në shumë vende të botës.