Generated by

--:--
--:--

Koha për të NDËRTUAR… ekonomi të qëndrueshme dhe digjitale!

Ky fundvit na gjen duke festuar dhe celebruar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar. Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia, klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, por është e pambrojtur nga krizat klimatike. Bisedat me Lorenc Gordanin, Miriam Neziri Angonin dhe fitueset e “Green Queen’s Awards” nuk flasin për rrezik, flasin për mundësi të humbura dhe për mundësi që ende presin të kapen. Në fund të ditës, një ekonomi që nuk e ndërton të ardhmen e saj mbi qëndrueshmërinë, rrezikon vazhdimësinë, një biznes që nuk e ndërton të ardhmen e tij mbi qëndrueshmërinë rrezikon të humbasë jo vetëm reputacionin, por edhe aksesin në financime dhe tregje ndërkombëtare. Sfidat e një ekonomie digjitale dhe të qëndrueshme kërkojnë koordinim midis qeverive, institucioneve financiare dhe sektorit privat, ku të gjithë aktorët e tregut duhet të bashkëpunojnë për të krijuar një ekosistem ekonomik që është digjital, inkluziv dhe i qëndrueshëm. Për bizneset e mëdha, ky është momenti për të krijuar strategji të qarta që mbështesin inovacionin pa kompromentuar përgjegjësinë sociale dhe mjedisore, ndërsa për startup-et, kjo është koha për të sjellë ide të reja që adresojnë sfida të mëdha sociale dhe ekonomike. Kush ka qenë pjesë e ekosistemit të startup-eve që prej 2015-s e di se sa e rrallë ishte atëherë fjala “venture capital”, sa të pakta ishin laboratorët e inovacionit dhe sa e vështirë ishte të gjeje besim tek një ide që vinte nga një 20-vjeçar pa kapital, por me ambicie. Sot, një dekadë më pas tabloja është e ndryshme: kemi akseleratorë aktivë, investitorë të interesuar, programe inkubimi, fonde më të organizuara, dhe mbi të gjitha, një brez themeluesish që nuk kërkon leje për të krijuar. Por krahas rritjes, vjen edhe sfida më e madhe: të shndërrojmë potencialin në ekonomi reale. Startup-et që janë pjesë e këtij edicioni, nga ANDRRA tek platforma të reja të shëndetit e teknologjisë tregojnë se krijimtaria po del nga ‘’faza romantike’’ dhe po hyn në fazën e profesionalizmit dhe pjekurisë. Sot nuk mjafton më ideja; duhet model biznesi, partneritet, integritet dhe një narrativë që bind investitorët se Shqipëria është vendi i duhur për t’i besuar kapital. Në dekadën e ardhshme, Shqipëria do të përballet me sfidat që do të përcaktojnë vendin që do të jemi dhe do të kemi në hartën e ekonomisë rajonale dhe europiane. Duket se jemi përballë një kapitulli sfidues, ku pyetja e madhe mbetet: A do ia dalim?