Generated by
“SIGAL nuk shet sigurime, blen rreziqe”! Rrëfimi i Avni Ponarit, si ndërtoi një industri nga hiçi
Në vitin 1999, Avni Ponari themeloi SIGAL-in në një treg të paorganizuar sigurimesh, pa eksperiencë, pa produkte dhe pa mentalitet. Me një formim të thellë në sigurimet detare dhe eksperienca ndërkombëtare në kompani si Lloyds dhe Swiss Re, Ponari pa një boshllëk dhe e ktheu atë në mundësi. Për të, sigurimet nuk janë vetëm produkte financiare, por mjete që rikthejnë besimin dhe lirinë ekonomike. Sekreti i suksesit të tij si lider qëndron në ndërtimin e ekipeve profesionale dhe një vizioni të qartë, të krahasueshëm me lundrimin në det: me destinacion të caktuar dhe përkushtim të plotë për të mbërritur aty. "Strategjia pa njerëz mbetet letër bosh", thotë ai, duke vënë theksin te kultura organizative dhe zhvillimi i vazhdueshëm personal. SIGAL është sot kompania lider në Shqipëri dhe rajon, falë besimit që ndërton me klientët. “Ne nuk shesim sigurime – blejmë rreziqe”, thekson Ponari. Në 25 vite, kompania ka paguar mbi 500 milionë euro dëme, duke garantuar stabilitet për individë dhe biznese. Blerja e 90% të aksioneve të SIGAL Business Center nga vetë Ponari, shënon një kthim të kontrollit të plotë dhe një kapitull të ri: forcimi i pozicionit në rajon, zgjerimi digjital dhe inovacioni në produkte. Për të rinjtë, Ponari ka një mesazh të qartë: “Biznesi kërkon vizion, ndershmëri dhe pasion – jo rrugë të shkurtra.” Trashëgimia që dëshiron të lërë është një industri solide, europiane dhe një shembull besimi që frymëzon brezat e ardhshëm.