Generated by
Prishtina bëhet me biçikleta

Prishtina ka ndërmarrë një hap drejt zhvillimit të mobilitetit me lançimin e programit të biçikletave publike “Prishtina Bikes,” një iniciativë që synon të ofrojë zgjidhje të re për sfidat e transportit urban. Ky tender i kushtoi taksapaguesve të Kosovës një shumë prej rreth 500.000€, ku përfshihen 100 biçikleta dhe 20 stacione.
“Prishtina Bikes” ofron biçikleta me qira për të udhëtuar nëpër qytet, duke i nxitur qytetarët të zgjedhin një mënyrë më të gjelbër dhe më të shëndetshme të transportit. Projekti është vlerësuar si një mënyrë e rëndësishme për të reduktuar trafikun e rënduar dhe ndotjen e ajrit. Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, tha se pas testimeve biçikletat tani janë të gatshme për përdorim.
Në shumë qytete të zhvilluara të Evropës, sistemet e biçikletave publike kanë rezultuar të suksesshme, pasi, jo vetëm që ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës në qytet, duke zvogëluar trafikun dhe ndotjen, por kontribuojnë në një jetë më aktive të qytetarëve. Me programin e ri, Prishtina ka bërë një hap të parë të guximshëm drejt një infrastrukture moderne dhe mjedisore.
Ndërsa sistemi i biçikletave është një hap i mirëpritur për Prishtinën, suksesi i tij do të varet shumë nga përmirësimi i infrastrukturës ekzistuese. Rrugët e dedikuara për biçikleta dhe kalimet e sigurta për këmbësorët dhe çiklistët janë po ashtu të nevojshme.
Prishtina Bikes shihet si një hap drejt modernizimit të Kryeqytetit. Duke inkurajuar qytetarët të përdorin biçikletat, autoritetet shpresojnë të nxisin një ndjenjë të re të përgjegjësisë për mjedisin dhe shëndetin personal. Nëse qytetarët e Prishtinës i përgjigjen pozitivisht kësaj iniciative, mund të presim që ky sistem të zgjerohet edhe më tej, duke përfshirë më shumë zona dhe duke shtuar më shumë biçikleta në dispozicion.
Marrja me qira e biçikletave në Prishtinë është e thjeshtë. Regjistroheni pa pagesë (aplikacion mobil), por kërkohet një depozitë prej 5€, e cila mund të përdoret më vonë si kredi për qira. Për të marrë biçikletën, përdoruesit duhet të skanojnë një kod QR përmes aplikacionit nextbike, që automatikisht hap biçikletën. Në 30 minutat e para për qira janë pa pagesë, ndërsa çdo 60 minuta shtesë kushton 0.50€. Pasi përfundon udhëtimi, biçikleta kthehet në një stacion zyrtar dhe mbyllet, duke përfunduar qiranë automatikisht. Kujdes, nëse nuk ktheni biçikletën në stacion, ju do të gjobiteni me 20€.