Shqipëria… e brezi që po vjen!
Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi. Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital. Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. Mjalinda Bregu dhe Erik Akse na shpjegojnë dritaren europiane që po i hapet Shqipërisë. Dalina Buzi, na sjell një panoramë të botës së medias online dhe ekonomisë digjitale që po ndryshon mënyrën se si krijohet, konsumohet dhe paguhet përmbajtja. Më tej, nga startup-et që po lulëzojnë në teknologji dhe shëndet, tek brezi i dytë i liderëve të cilët tregojnë se të rritesh me një mbiemër që peshon nuk është thjesht privilegj, por një përgjegjësi e jashtëzakonshme që kërkon vizion, guxim dhe angazhim për të ndërtuar të ardhmen. Në një speciale të veçantë, eksplorojmë agroturizmin, jo vetëm si zgjatim i mikpritjes shqiptare, por si motor i ri ekonomik. Nga potencialet e mëdha të fshatit tonë deri te sfidat reale infrastrukturore dhe mjedisore, diskutojmë edhe mundësitë e ekonomisë blu si shtyllë e zhvillimit të qëndrueshëm. Detyra e atyre që janë sot në vendimmarje, qoftë politike, ekonomike apo edhe në biznes është e qartë: të shndërrojë potencialin e brezit të ri në arritje konkrete dhe të qëndrueshme. Koha për veprim, për të besuar tek talenti, për të investuar në inovacion dhe për të ndërtuar të ARDHMEN është tani. Duke ju uruar lexim të këndshëm, Ju ftojmë të abonoheni dhe të shkarkoni revistën online!