Historiku i panaireve në Shqipëri, nga vitet e para të formimit të shtetit te ekspozitat ndërkombëtare
Historiku i panaireve dhe ekspozitave në Shqipëri lidhet ngushtë me përpjekjet e shtetit për afirmim ekonomik dhe diplomatik në arenën ndërkombëtare. Që në vitet 1920 dhe 1930, dokumentet e Arkivit Qendror të Shtetit tregojnë se pjesëmarrja në panaire konsiderohej një instrument i rëndësishëm për promovimin e prodhimeve vendase, artizanatit, bujqësisë dhe burimeve natyrore. Gjatë periudhës së Ahmet Zogut, këto përpjekje u formalizuan më shumë. Në vitin 1924, një kërkesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme për hapjen e një ekspozite me mallra industriale shqiptare në New York tregonte ambicien për të hyrë në tregjet transatlantike. Një vit më pas, Shqipëria dërgoi informacion prefekturave për panaire në Selanik dhe Luboticë të Jugosllavisë, duke synuar forcimin e lidhjeve rajonale tregtare. Në 1925, vendimet për pjesëmarrjen në Ekspozitën Ndërkombëtare të Parisit përmes filatelisë treguan rëndësinë simbolike dhe ekonomike të prezencës ndërkombëtare. Në vitet ’30, aktiviteti u intensifikua. Panairet shërbenin si platformë për produktet bujqësore, artizanale dhe industriale, përfshirë djathin e Himarës, minierat dhe energjinë, ku pjesëmarrja në ekspozita si ajo e Vajgurit në Tulsa, SHBA, kishte synim tërheqjen e investimeve të huaja. Ekspozita e parë e artizanatit shqiptar në vitin 1931 nënvizoi rëndësinë e zejeve tradicionale dhe potencialin e tyre ekonomik. Pjesëmarrja në Ekspozitën e Aeronautikës në Beograd në 1938 dhe ekspozita të mëvonshme tregonin vullnetin për të qenë pjesë e zhvillimeve ndërkombëtare. Panairet vendase, si ai në Durrës, stimuluan prodhimin lokal dhe lidhjen mes prodhuesve dhe konsumatorëve. Sot, tradita e panaireve ka vazhduar dhe rifituar impuls përmes iniciativave të reja. Enejda Sheku, bashkëthemeluese e Iceberg Exhibitions, ka sjellë konceptin e panaireve sektoriale, duke lidhur sektorë kryesorë të ekonomisë shqiptare dhe duke krijuar platforma konkrete biznesi dhe networking. Panairi i parë “Ditët e Bujqësisë” në Lushnjë (2022) u zhvillua në një hapësirë të hapur pa infrastrukturë të dedikuar, duke u konsoliduar si platformë për fermerë, kompani dhe institucione, dhe duke ofruar një shembull të qartë të mundësive për zhvillim dhe pjesëmarrje sipas standardeve ndërkombëtare.