Skerdi Sino: Vendi i punës është kudo ku ka internet
Skerdi Sino, nga Native Teams, e sheh transformimin e tregut global të punës si një mundësi të rëndësishme për Shqipërinë, por edhe si një sfidë për mënyrën se si vendi pozicionohet ndërkombëtarisht. Sipas tij, Shqipëria duhet të largohet nga perceptimi si treg “low cost” dhe të ndërtojë avantazhin e saj mbi cilësinë, ekspertizën dhe produktivitetin. Sino vlerëson se brezi i profesionistëve shqiptarë që punojnë nga vendi për kompani ndërkombëtare përbën një nga asetet më të rëndësishme për ekonominë e së ardhmes. Këta profesionistë ekspozohen ndaj tregjeve më të zhvilluara, standardeve të reja të punës dhe dinamikave ndërkombëtare, duke krijuar një kapital njerëzor që mund t’u shërbejë edhe kompanive shqiptare që synojnë zgjerimin jashtë vendit. Në të njëjtën kohë, ata mund të funksionojnë si ambasadorë të aftësive shqiptare, duke ndihmuar në ndryshimin e perceptimit për vendin. Sipas tij, pengesa kryesore për integrimin më të shpejtë në ekonominë globale nuk është mungesa e talentit, por mungesa e vizionit ndërkombëtar dhe barrierat praktike që hasin kompanitë kur duan të zgjerohen jashtë Shqipërisë. Hapja e entiteteve ligjore, pagesat ndërkombëtare, kontratat dhe pajtueshmëria me legjislacionet e huaja mund ta bëjnë procesin kompleks. Në këtë pikë, platforma si Native Teams mund të reduktojnë pengesat operative dhe t’ua lehtësojnë kompanive hyrjen në tregjet e huaja. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me konkurrencën për talentin. Për profesionistët shumë të specializuar, veçanërisht në teknologji, marketing digjital dhe financë, kufijtë gjeografikë po humbasin rëndësinë. Një profesionist në Tiranë mund të konkurrojë dhe të punojë njëkohësisht për kompani në Gjermani, Holandë apo SHBA. Për Sino-n, kjo krijon një realitet të ri: “vendi i punës” nuk përcaktohet më nga adresa e zyrës, por nga aftësia për të punuar në një treg global. Shqipëria, për këtë arsye, duhet të investojë te talenti i specializuar dhe të krijojë kushtet që ky kapital njerëzor të kthehet në avantazh ekonomik.