--:--
--:--

Pago bëhet anëtare e Visa, zgjeron ofertën për pagesat elektronike

Në një moment kur diskutimet për reduktimin e parasë fizike dhe rritjen e përdorimit të pagesave elektronike po intensifikohen në Shqipëri, platforma fintech Pago ka finalizuar anëtarësimin në rrjetin global Visa, duke u bërë një nga institucionet financiare që bashkëpunon me të dy rrjetet më të mëdha të kartave: Mastercard dhe Visa. Ky zhvillim vjen pas partneritetit të suksesshëm të Pago me Mastercard që prej vitit 2022 dhe shënon një hap kyç në konsolidimin e shërbimeve të saj. Anëtarësimi në Visa reflekton maturimin institucional të kompanisë, përkushtimin ndaj standardeve ndërkombëtare dhe vizionin afatgjatë për ofrimin e zgjidhjeve inovative për bizneset. Në një kohë kur politikat kombëtare nxisin reduktimin e pagesave në dorë dhe zgjerimin e infrastrukturës POS, Pago pozicionohet si një aktor kyç në këtë transformim. Me këtë hap të ri, Pago mund të lëshojë karta Mastercard dhe Visa dhe të pranojë pagesa elektronike përmes metodave të ndryshme: POS tradicional, Soft POS që shndërron çdo telefon Android në pajisje për pagesa kontaktless, pajisje all-in-one për shitje dhe fiskalizim, si dhe virtual POS për shitje online ose pagesa me link. Ky integrim siguron standarde të larta sigurie, përputhshmëri me rregulloret ndërkombëtare, menaxhim të avancuar të riskut dhe akses në rrjet global klientësh, duke përmirësuar veçanërisht besimin e klientëve të huaj në sektorët e turizmit, retail-it dhe transportit. Pozicioni i Pago forcohet edhe nga bashkëpunimi me dev.al, aksionerin kryesor të Rubicon sh.a., kompani që zhvillon platformën e Pago. Ky bashkëpunim krijon një ekosistem të plotë për bizneset, duke përfshirë menaxhimin e aktivitetit, faturimin, kontabilitetin, burimet njerëzore dhe pagesat elektronike. Sipas Igli Gjelishti, themelues dhe drejtues i dev.al, “Investimi strategjik në blerjen e kuotës mazhoritare të Rubicon dhe puna intensive gjatë dy viteve të fundit na mundësuan që sot të ofrojmë një shërbim të pavarur të pranimit të pagesave dhe integrimit të tij me zgjidhjet ekzistuese. Anëtarësimi në Visa përbën një arritje shumë të rëndësishme për ne.” Ky zhvillim ndodh në një kohë kur ndryshimet ligjore detyrojnë bizneset e hotelerisë dhe transportit të pranojnë pagesa elektronike deri më 30 maj 2022, ndërsa bizneset e tjera që marrin pagesa nga klientët duhet ta përmbushin këtë detyrim deri në fund të vitit 2026, duke rritur rëndësinë e shërbimeve të Pago për gjithë tregun shqiptar.