--:--
--:--

Modeli i ri i punës, Shqipëria po kalon nga tregu lokal te ekonomia pa kufij

Puna nuk është më domosdoshmërisht një vend ku shkon çdo mëngjes. Për një numër gjithnjë e në rritje profesionistësh, ajo është një lidhje digjitale mes një laptopi në Tiranë, një kompanie në Berlin, një klienti në Londër apo një marke në SHBA. Freelancing, puna në distancë, krijimi i përmbajtjes dhe platformat digjitale po krijojnë një model të ri pune, ku kufiri mes punonjësit, të vetëpunësuarit, sipërmarrësit dhe ofruesit të shërbimit po bëhet gjithnjë e më i ngushtë dhe i paqartë. Edhe Shqipëria po hyn në këtë ekonomi të re. Jo ende në përmasat e tregjeve më të zhvilluara, por mjaftueshëm sa për të parë se ndryshimi nuk është më një trend i largët. Ai po shfaqet te profesionistët që punojnë për kompani të huaja nga Tirana, te freelancer-ët që ndërtojnë karrierë jashtë punësimit tradicional, te krijuesit e përmbajtjes që e kanë kthyer audiencën në burim të ardhurash dhe te nomadët digjitalë që zgjedhin Shqipërinë si bazë për të punuar. Por pyetja më e rëndësishme nuk është nëse kjo ekonomi po vjen. Ajo tashmë ka ardhur. Pyetja është nëse Shqipëria do të arrijë ta kthejë atë në avantazh ekonomik. Një nga ndryshimet kryesore të Gig Economy është mënyra se si konceptohet karriera. Për një brez të ri profesionistësh, puna nuk nis dhe përfundon me një kontratë tradicionale dhe një pagë mujore. Një freelancer mund të ketë disa klientë njëkohësisht, një zhvillues software-i mund të punojë për një kompani gjermane nga Tirana, ndërsa një krijues përmbajtjeje mund të gjenerojë të ardhura nga marka të ndryshme në disa vende. Arlind Haxhijaj, themelues dhe menaxher i përgjithshëm i Coolab, e sheh këtë ndryshim nga afër. Sipas tij, freelancing nuk është më domosdoshmërisht një zgjidhje e përkohshme derisa të gjendet një punë tradicionale. Për shumë profesionistë është bërë zgjedhje karriere afatgjatë. Kjo është një pikë kyçe. Gig Economy nuk po zëvendëson domosdoshmërisht punën tradicionale, por po shton mënyra të reja për të hyrë në tregun e punës dhe për të shitur aftësitë. Profesioni nuk përcaktohet më aq shumë nga vendi ku punon, por nga vlera që mund të ofrosh. Në këtë model, kufiri gjeografik humbet rëndësinë. Një profesionist në Tiranë mund të jetë pjesë e një ekipi ndërkombëtar pa u zhvendosur fizikisht. Kjo e ndryshon edhe konkurrencën: ai nuk konkurron më vetëm për një vend pune në Shqipëri, por për mundësi në tregun global. Skerdi Sino, nga Native Teams, e vendos këtë transformim në një kontekst më të gjerë: Shqipëria duhet të largohet nga ideja se avantazhi i saj kryesor është kostoja e ulët e punës. Për një ekonomi të vogël, kjo është veçanërisht e rëndësishme. Shqipëria nuk ka popullsinë apo kapacitetin njerëzor të tregjeve më të mëdha të rajonit. Prandaj, strategjia për të tërhequr kompani ndërkombëtare vetëm përmes kostos së ulët ka kufizime të qarta. Ndaj avantazhi më i qëndrueshëm është talenti. Profesionistët shqiptarë që punojnë për kompani ndërkombëtare nuk janë vetëm përfitues të ekonomisë globale. Ata janë edhe një kanal përmes të cilit standardet e tregjeve të zhvilluara hyjnë në Shqipëri. Mënyrat e menaxhimit, kulturat e punës, teknologjitë, proceset dhe rrjetet që këta profesionistë fitojnë jashtë tregut vendas mund të rikthehen te kompanitë shqiptare. Këtu krijohet një mundësi që Shqipëria ende nuk e shfrytëzon plotësisht: eksportimi i shërbimeve pa eksportuar njerëzit. Ky transformim po ndryshon edhe hapësirën fizike të punës. Dafina Olluri, bashkëthemeluese e ZenVen në Kosovë, e sheh coworking-un si një lloj infrastrukture të re për ekonominë digjitale. Për rajonin, kjo ka një rëndësi më të madhe sesa thjesht ofrimi i një tavoline dhe interneti. Coworking mund të krijojë atë që puna në distancë shpesh e humbet: komunitetin. Një freelancer mund të punojë për një kompani ndërkombëtare, por ende ka nevojë për kontakte profesionale, mentorim, shkëmbim njohurish dhe mundësi bashkëpunimi. Në këtë kuptim, hapësirat coworking mund të shërbejnë si ura mes talentit lokal dhe tregut global. Nga ana tjetër, krijuesit e përmbajtjes tregojnë një tjetër dimension të këtij ndryshimi. Rasti i Elvi Nuhut tregon se si një aktivitet që dikur perceptohej si hobi është shndërruar në profesion. Sot krijimi i përmbajtjes ka kontrata, afate, negociata, raporte, klientë dhe të ardhura. Por ajo që e bën ekonominë e krijuesve, veçanërisht interesante është se individi nuk shet vetëm një aftësi. Ai ndërton një audiencë, markë personale dhe kanal shpërndarjeje. Yağmur Ece Yüksel, krijuese përmbajtjeje dhe nomade digjitale që jeton prej rreth një viti e gjysmë në Shqipëri, e sheh vendin nga perspektiva e dikujt që ka zgjedhur të punojë këtu. Moti, siguria dhe ritmi i jetës janë avantazhe, por ajo nënvizon edhe një faktor që mund të bëhet vendimtar: përballueshmëria. Kjo është një sfidë strategjike. Nëse Shqipëria bëhet shumë e shtrenjtë, mund të humbasë një nga avantazhet që e ka bërë tërheqëse për nomadët digjitalë dhe profesionistët ndërkombëtarë. Pra, ekonomia e re e punës funksionon në dy drejtime: Shqipëria mund të eksportojë talentin e saj pa e larguar atë dhe njëkohësisht të importojë profesionistë që sjellin të ardhura, njohuri dhe lidhje ndërkombëtare. Por ekziston edhe një boshllëk që duhet të mbyllet dhe ai ka të bëjë me institucionet. Modeli i ri i punës po zhvillohet më shpejt sesa kornizat institucionale të ndërtuara për të. Freelancer-i që punon për pesë klientë në vende të ndryshme nuk është i njëjtë me një biznes tradicional. Një punonjës shqiptar që punon në distancë për një kompani të huaj krijon marrëdhënie të reja kontraktuale dhe fiskale. Një nomad digjital ka nevoja të tjera nga një turist. Nëse këto modele futen me forcë në kategori të vjetra, krijohet burokraci dhe pasiguri. Prandaj sfida nuk është vetëm taksimi. Është qartësia e rregullave, pagesat ndërkombëtare, kontratat, sigurimet sociale, formalizimi dhe mënyra se si institucionet e kuptojnë një treg pune që nuk është më linear. Shqipëria ka një mundësi të veçantë përballë fenomenit të emigrimit të trurit. Në vend që zgjedhja të jetë vetëm “qëndro këtu” ose “ik jashtë”, puna në distancë krijon një alternativë të tretë: jeto në Shqipëri, puno për botën. Por kjo nuk ndodh automatikisht. Duhet arsim më i lidhur me aftësitë që kërkon tregu global, gjuhë të huaja, aftësi digjitale, infrastrukturë të mirë, pagesa ndërkombëtare funksionale dhe një kuadër institucional që nuk e trajton ekonominë e re me logjikën e ekonomisë së vjetër. Duhet gjithashtu një strategji për të tërhequr diasporën dhe për të krijuar lidhje mes profesionistëve shqiptarë jashtë dhe atyre që punojnë nga vendi. Sepse sfida e Shqipërisë nuk është vetëm të krijojë më shumë vende pune. Është të krijojë më shumë lidhje me tregjet që kanë kërkesë për talent. Gig Economy e bën këtë të mundur. Nëse modeli tradicional ishte “kompania vjen te punëtori”, modeli i ri është gjithnjë e më shumë “punëtori lidhet me tregun”. Dhe për një ekonomi të vogël si Shqipëria, ky ndryshim mund të jetë shumë më i rëndësishëm sesa duket. Nga zyra te laptopi, nga tregu lokal te klienti global, modeli i ri i punës po e ndryshon gradualisht edhe vendin e Shqipërisë në ekonominë ndërkombëtare. Çështja tani është nëse do të kemi politikat dhe infrastrukturën për ta kthyer këtë ndryshim nga një fenomen individual në një avantazh kombëtar.