Sezoni i eventeve, ç'na sjell vjeshta e 2026-s!
Vjeshta e vitit 2026 pritet të jetë një nga periudhat më të ngjeshura të kalendarit të eventeve në Shqipëri dhe rajon. Nga teknologjia, startup-et dhe ekonomia digjitale, te energjia e gjelbër, ndërtimi dhe industria kreative, muajt shtator, tetor dhe nëntor do të sjellin në të njëjtat hapësira sipërmarrës, investitorë, ekspertë, kompani dhe vendimmarrës. Këto aktivitete nuk janë vetëm konferenca apo panaire. Ato po shndërrohen gjithnjë e më shumë në pika takimi për biznesin, inovacionin dhe krijimin e partneriteteve të reja. Për profesionistët dhe kompanitë që duan të ndjekin zhvillimet e tregut, ky është një kalendar që ia vlen të mbahet shënim. Future2Tech — 24–25 shtator, Pallati i Kongreseve, Tiranë Sezoni nis me edicionin e katërt të Future2Tech, një nga aktivitetet që synon të mbledhë së bashku ekosistemin e teknologjisë, inovacionit, edukimit dhe sipërmarrjes në Shqipëri dhe rajon. I organizuar nga I-Exhibitions në bashkëpunim me AlbaniaTech, eventi do të fokusohet te lidhjet B2B, prezantimi i produkteve dhe krijimi i urave mes kompanive dhe talenteve të reja. Forumet, panelet dhe diskutimet do të ofrojnë hapësirë për të diskutuar mbi zhvillimet e teknologjisë dhe mënyrën se si ato po ndikojnë në biznes dhe në tregun e punës. Plug and Play Expo 2026 — 7–8 tetor, Piramida e Tiranës Tirana do të vijojë të jetë qendër e aktivitetit startup gjatë tetorit me Plug and Play Expo 2026. Në këtë edicion, 22 startup-e të gjeneratës së dytë të programit Plug and Play do të prezantojnë zgjidhjet e tyre në fusha si HealthTech, ConTech, DeepTech, GovTech, SaaS me AI, tregjet online, tregtia elektronike dhe Mobility Tech. Programi do të kombinojë prezantimet e startup-eve me fireside chats, panele dhe sesione të dedikuara për inteligjencën artificiale, fintech dhe edtech. Një pjesë e rëndësishme do t'i kushtohet networking-ut mes themeluesve dhe investitorëve, duke e kthyer aktivitetin në një mundësi konkrete për lidhje të reja biznesi dhe financimi. Eventi organizohet me mbështetjen e AADF, INGroupe, Bashkisë së Tiranës dhe Innovation Hub. KosICT15 — 9–10 tetor, Prishtinë Vetëm pak ditë më vonë, vëmendja zhvendoset në Prishtinë për edicionin e 15-të të KosICT, një nga eventet më të rëndësishme të teknologjisë në Kosovë dhe rajon. Nën moton “Adapt. Protect. Build.”, aktiviteti pritet të mbledhë më shumë se 3,000 pjesëmarrës, mbi 200 kompani dhe përfaqësues nga 15 vende. Organizatorët parashikojnë një audiencë të konsiderueshme të nivelit C-Level, duke e pozicionuar eventin jo vetëm si një konferencë teknologjie, por edhe si një hapësirë për vendimmarrësit dhe drejtuesit e biznesit. Dy ditët do të përfshijnë prezantime, diskutime mbi inovacionin dhe mundësi networking-u, ndërsa kompanitë do të kenë hapësirë për të prezantuar produktet dhe zgjidhjet e tyre dhe për të krijuar kontakte me klientë apo partnerë të rinj. ECGE 2026 — 29–30 tetor, Pallati i Kongreseve, Tiranë Në fund të tetorit, fokusi kalon te energjia dhe ekonomia e gjelbër me edicionin e pestë të ECGE 2026, Panairi i Energjisë, Ndërtimit dhe Ekonomisë së Gjelbër. Organizuar nga I-Exhibitions, panairi do të trajtojë disa prej sektorëve me potencialin më të madh për transformimin e ekonomisë: energjinë diellore dhe të erës, hidroenergjinë, hidrogjenin, sistemet e magazinimit, rrjetet inteligjente, ndërtesat e gjelbra dhe elektromobilitetin. Edicioni i kaluar mblodhi mbi 80 kompani nga më shumë se gjashtë vende evropiane. Sipas organizatorëve, më shumë se 80% e ekspozuesve deklaruan se kishin arritur objektivat e tyre, duke e forcuar profilin e panairit si një pikë takimi për kompanitë që kërkojnë tregje, partnerë dhe mundësi të reja. Burn — 3–4 nëntor, Universiteti i Arteve, Tiranë Vjeshta nuk do të jetë vetëm për biznesin dhe teknologjinë. Më 3 dhe 4 nëntor, grupi Burn do të shënojë 23 vjet aktivitet me koncertin-recital “Përtej Muzikës… aty ku tingujt rrëfejnë histori”. Shfaqja do të zhvillohet në Sallën e Koncerteve të Universitetit të Arteve në Tiranë dhe synon të sjellë një format më intim e artistikisht më të thelluar sesa një koncert tradicional. Përtej muzikës, projekti synon të rikthejë në vëmendje historinë dhe evolucionin e një prej grupeve të konsoliduara të skenës shqiptare. AllWeb 2026 — 6 nëntor, Xhamia e Namazgjasë Sezoni i eventeve mbyllet me AllWeb 2026, konferenca e organizuar nga Business Magazine Albania që prej vitit 2016 dhe një prej aktiviteteve kryesore të rajonit për botën digjitale. Edicioni i këtij viti do të sjellë mbi 12 folës nga Evropa dhe rajoni, me një program që prek disa nga temat më të rëndësishme për biznesin modern: inteligjencën artificiale dhe transformimin e biznesit, marketingun me AI, të dhënat dhe analitikën, përvojën e klientit, lidershipin digjital dhe aftësitë e së ardhmes. Me këtë axhendë, vjeshta e 2026-s tregon se ekosistemi i eventeve në Shqipëri dhe rajon po bëhet gjithnjë më i larmishëm. Nga startup-et dhe teknologjia te energjia e gjelbër dhe industria kreative, takimet e këtij sezoni ofrojnë jo vetëm informacion, por edhe mundësi për të krijuar lidhje, për të zbuluar tregje dhe për të kuptuar drejtimin që po merr ekonomia e së ardhmes.