Shkëlzen Marku: Modeli i gabuar i financimit mban bizneset e vogla kreative peng
Në Business Magazine, prej më shumë se një dekade, komuniteti i sipërmarrësve, krijuesve dhe profesionistëve të rinj është në qendër të vëmendjes. Shumë prej tyre kërkojnë mënyra për të kaluar nga pasioni tek struktura dhe rritja e qëndrueshme. Pyetjeve të ardhura në inbox-in e redaksisë i përgjigjet Shkëlzen Marku, konsulent për inovacion dhe drejtues i Growpreneur Accelerator, një figurë e njohur për strategjinë dhe zhvillimin e startup-eve. Nga atelie individuale në platformë kulturore Shkëlzen Marku thekson se shumë atelie arti dhe edukimi fillojnë si praktikë personale, e cila u jep autenticitet, por i mban të brishtë për shkak të varësisë nga koha dhe energjia e një personi. Hapi i parë drejt qëndrueshmërisë është ndërtimi i një “kornize” që mbron identitetin artistik, ndërsa krijohet struktura për rritje. Ai sugjeron 10 hapa praktikë: dokumentimi i identitetit artistik në një “Artist Charter”, standardizimi i metodave të punës, ndarja e ofertës në formate të qëndrueshme (kurse, evente, programe institucionale), segmentimi i audiencave dhe zhvillimi i bisedave me klientët për të kuptuar nevojat e tyre. Për më tepër, ndarja e roleve artistike nga ato operative, krijimi i një bordi këshilluesish dhe ndërtimi i një “miks” të ardhurash që kombinon kurset, workshop-et dhe kontratat B2B ndihmojnë në uljen e varësisë nga projekti i vetëm. Modele ekonomike për rritje të qëndrueshme Sipas Markut, bizneset e artit dhe edukimit që duan të rriten pa u varur nga projekte të izoluara duhet të ndërtojnë të ardhura të përsëritura dhe të diversifikuara. Modelet e përdorura zakonisht në Europë dhe të aplikueshme edhe në Shqipëri përfshijnë: Anëtarësitë (membership) me nivele dhe përfitime të qarta që krijojnë të ardhura mujore të parashikueshme. Kurset/akademitë sezonale me cikle disa javore, që rrisin besnikërinë dhe planifikimin e kapaciteteve. Kontratat B2B me shkolla, kompani ose institucione publike, për stabilitet dhe volum. Modeli “mision + njësi tregtare” që balancohet midis identitetit kulturor dhe aktiviteteve që gjenerojnë të ardhura. Cross-subsidy, ku shërbimet premium financojnë programet komunitare, duke mbajtur misionin aktiv pa varësi nga një projekt i vetëm. Sfida e tërheqjes së investimeve ndërkombëtare Shkëlzen Marku shpjegon se mungesa e investimeve jashtë Shqipërisë shpesh lidhet me perceptimin e biznesit si praktikë individuale ose projekt artistik pa mundësi riprodhimi. Investitorët kërkojnë rritje të parashikueshme, prova të tërheqjes së tregut (revenue recurring, përqindja rikthimit, marzh, kontrata B2B) dhe strukturë të qartë menaxhimi të rrezikut. Fokusimi i lartë te tregu lokal dhe mungesa e kanaleve ndërkombëtare ose partneriteteve rajonale e bëjnë biznesin pak tërheqës për investitorët jashtë. Kombinimi i të ardhurave të fituara, kontratave B2B, granteve dhe instrumenteve financiare alternative është shpesh rruga më e mirë për të arritur rritje dhe qëndrueshmëri. Në përmbledhje, Marku nënvizon se rritja e biznesit kreativ nuk varet nga projekte të shumta, por nga një strukturë e qartë, standarde të pandryshueshme dhe diversifikimi i të ardhurave, duke ruajtur gjithmonë identitetin artistik.