Anisa Zaçe: Ndrojtja si avantazh në karrierë dhe vendimmarrje, pse liderët e qetë shpesh janë më efektivë se të zhurmshmit
Ndrojtja rishfaqet jo si pengesë, por si një mënyrë më e qetë dhe më e vëmendshme për të ushtruar lidership. Në kete interviste psikologia Anisa Zaçe, shpjegon se “shyness” është ndjeshmëri më e lartë ndaj ekspozimit social dhe vlerësimit nga të tjerët. Ajo thekson se një person mund të jetë shumë kompetent dhe i sigurt në aftësitë e tij, por sërish të ndiejë tension në situata sociale të reja ose të ekspozuara. Shoqëria moderne shpesh e lidh sigurinë me dukshmërinë: kush flet më shumë, shfaqet më shumë dhe vetëpromovohet më fort, perceptohet si më i aftë. Zaçe e konsideron këtë një matje sipërfaqësore. Njerëzit e qetë, sipas saj, përpunojnë më shumë informacion, dëgjojnë më me kujdes dhe reagojnë më pak impulsivisht. Problemi është se kulturat profesionale shpesh shpërblejnë stilin më ekspresiv, ndërsa thellësia, analiza dhe qetësia kërkojnë më shumë kohë për t’u parë. Në nivel menaxherial, rëndësi merr fakti se liderët e ndrojtur mund të jenë po aq ndikues sa liderët karizmatikë. Ata ndërtojnë besim, krijojnë siguri emocionale në ekip, marrin vendime të menduara dhe sjellin stabilitet. Kompanitë duhet të krijojnë forma komunikimi ku talenti nuk vlerësohet vetëm nga shpejtësia e të folurit, por nga cilësia e ideve. Mesazhi për profesionistët e ndrojtur është të mos matin vlerën me zhurmën që krijojnë, por ta kthejnë qetësinë, reflektimin dhe autenticitetin në avantazh.