Rei Canka, 17-vjeçari që nisi punën në moshën 13-vjeçare dhe sot ka kompaninë e tij
Është vetëm 17 vjeç, por Rei Canka e nisi rrugëtimin e tij në sipërmarrje katër vite më parë. Në moshën 13-vjeçare dëgjoi për herë të parë urimin “Punë të mbarë!”, ndërsa sot drejton agjencinë e tij të marketingut digjital dhe po punon për krijimin e projekteve të reja teknologjike. Për të, mosha nuk është pengesë për të nisur, ndërsa sipërmarrja nuk lidhet vetëm me kapitalin, por mbi të gjitha me mënyrën e të menduarit. Nëse do ta përshkruante veten me tri fjalë, Rei do të zgjidhte “kokëmushkë”, “konsistent” dhe “ekstrovert”. Sipas tij, këto janë tiparet që do të përdorte edhe dikush që e njeh mirë. Kokëmushkë, sepse këmbëngul për atë që beson; konsistent, sepse përpiqet të vazhdojë edhe kur gjërat bëhen të vështira; dhe ekstrovert, sepse komunikimi dhe kontakti me njerëzit janë pjesë e rëndësishme e mënyrës së tij të të shprehurit. Dëshira për të krijuar, sipas tij, ka qenë aty që në fëmijëri. Vizatim, art dhe më vonë pjesëmarrja në artet skenike kanë ushqyer anën krijuese të tij. Pikërisht kjo dëshirë për të krijuar diçka të vetën e ka shtyrë drejt sipërmarrjes. Për Reinin, edhe të bërit e parave është një lloj arti, por objektivi nuk është thjesht fitimi. Ai beson se në fund duhet të ndërtojë një trashëgimi të tijën dhe jo të punojë për të ndërtuar trashëgiminë e dikujt tjetër. Një pjesë e rëndësishme e këtij rrugëtimi është edhe prania e tij në rrjetet sociale. Rei ka ndërtuar një komunitet ku flet për sipërmarrjen dhe zhvillimin personal dhe përpiqet të tregojë një tjetër perspektivë mbi të rinjtë shqiptarë. Ai nuk mendon se të rinjve u mungojnë mundësitë apo burimet. Sipas tij, ajo që duhet të ndryshojë është mënyra e të menduarit. Për të, një prej pengesave më të mëdha është bindja se “jeta është e tillë” dhe se gjërat në mënyrë të pashmangshme do të shkojnë keq. Ai beson se mënyra se si një individ mendon ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si e ndërton jetën e tij. Pikërisht për këtë arsye, mesazhi që përcjell në rrjetet sociale nuk lidhet vetëm me biznesin, por edhe me disiplinën, vetëzhvillimin dhe përgjegjësinë personale. Megjithatë, rrugëtimi i tij nuk ka qenë pa gabime. Ai pranon se ka pasur shumë prej tyre, por një prej gabimeve më të mëdha ka qenë tendenca për të menduar gjithmonë për skenarin më të keq. Sipas tij, kjo mënyrë të menduari ka ndikuar në disa marrëdhënie dhe projekte që nuk kanë funksionuar në të kaluarën. Përvoja i ka mësuar se mendimet mund të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në drejtimin që merr jeta. Edhe rutina e përditshme nuk është e strukturuar në mënyrë klasike. Rei e përshkruan si të paparashikueshme, pasi varet nga fluksi i punës dhe nga planet që mund të shfaqen gjatë ditës. Megjithatë, ka disa gjëra që përpiqet t’i ruajë pavarësisht angazhimeve: stërvitjen, punën dhe kohën për të menduar dhe qëndruar në qetësi. Edhe kur nuk ka shumë kohë, ai përpiqet të bëjë të paktën diçka nga secila prej tyre. Sot, Rei drejton agjencinë e tij të marketingut digjital dhe po punon paralelisht për disa projekte teknologjike. Ai nuk e sheh veten të lidhur përgjithmonë me një kompani të vetme. Ana e tij krijuese e shtyn të mendojë për projekte të ndryshme dhe për mundësi të reja. Në pesë vitet e ardhshme, objektivi kryesor është zgjerimi përtej Shqipërisë. Për të, ajo që po ndërton sot është vetëm fillimi i një plani më të gjatë. Mesazhi për të rinjtë që kanë një ide, por nuk guxojnë ta hedhin hapin e parë, është i drejtpërdrejtë. Ai e pranon se frika nga gjykimi i të tjerëve është reale dhe se një i ri që përpiqet të bëjë diçka ndryshe mund të përballet edhe me kritika, sulme apo tallje. Por kjo, sipas tij, nuk duhet të jetë arsye për të hequr dorë. Nëse rrjetet sociale do të zhdukeshin, Rei thotë se do të kërkonte një tjetër rrugë për të ndërtuar emrin e tij, madje duke iu drejtuar televizionit. Për sa kohë rrjetet sociale janë pjesë e realitetit, ai synon t’i përdorë për të treguar një anë të të rinjve shqiptarë që, sipas tij, rrallëherë merr vëmendjen e duhur. Historia e Reit tregon se sipërmarrja nuk ka një moshë të përcaktuar. Për të, fillimi lidhet më shumë me dëshirën për të krijuar, gatishmërinë për të mësuar nga gabimet dhe guximin për të vazhduar. Në moshën 17-vjeçare, ai e sheh veten ende në fillim të rrugës, me një agjenci, projekte teknologjike dhe një objektiv të qartë: të ndërtojë diçka që shkon përtej kufijve të Shqipërisë.