Redjan Ymeraj: Si po ndryshon Wellness+ mënyrën si kompanitë kujdesen për punonjësit
Mirëqenia e punonjësve po kalon gradualisht nga një benefit shtesë në një element më strategjik të menaxhimit të burimeve njerëzore. Kompanitë po kërkojnë mënyra për t’u ofruar punonjësve më shumë fleksibilitet dhe zgjedhje, ndërsa në të njëjtën kohë duan të kuptojnë nëse investimi në mirëqenie po sjell realisht rezultat. Në këtë hapësirë pozicionohet Wellness+, platforma e themeluar nga Redjan Ymeraj, e cila synon të lidhë kompanitë, punonjësit dhe ofruesit e shërbimeve wellness në një model të vetëm. Përtej konceptit të një platforme që ofron akses në palestra, SPA, pishina apo aktivitete sportive, Wellness+ ndërton një sistem ku kompanitë përcaktojnë buxhetin, ndërsa punonjësit vendosin se si duan ta përdorin atë. Ymeraj shpjegon se ideja për Wellness+ lindi fillimisht nga një problem konkret në industrinë e fitness-it dhe wellness-it. Palestra, SPA dhe pishina menaxhonin abonimet dhe aktivitetin e klientëve përmes mjeteve tradicionale, si fletoret, Excel-i apo proceset manuale. Kjo krijonte probleme me ndjekjen e abonimeve, pagesat, raportimin dhe kontrollin e të dhënave. Platforma u konceptua si një softuer menaxhimi për këto biznese dhe sot përdoret nga më shumë se 120 subjekte në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Itali. Ajo u mundëson qendrave të menaxhojnë anëtarësimet, aksesin, njoftimet automatike dhe raportet e aktivitetit. Më pas, eksperienca e krijuar në këtë rrjet hapi rrugën për një model të ri: programin e mirëqenies së punonjësve. Ymeraj thekson se Wellness+ nuk synon të funksionojë thjesht si një marketplace që shet abonime. Në qendër është buxheti i mirëqenies, të cilin kompania e financon dhe punonjësi e përdor sipas zgjedhjes së tij në qendrat e rrjetit. Modeli bazohet te liria e zgjedhjes. Punonjësi nuk detyrohet të përdorë një palestër të caktuar apo një aktivitet specifik, por mund të zgjedhë mes alternativave të ndryshme, nga fitnesi dhe noti te joga, pilates, crossfit apo shërbimet SPA. Sipas Ymerajt, viti i parë i këtij modeli tregoi se fleksibiliteti është një nga faktorët kryesorë të përdorimit. Kur zgjedhjen e bën vetë punonjësi, angazhimi është më i lartë. Po aq e rëndësishme është edhe komunikimi brenda kompanisë. Një program wellness mund të dështojë jo sepse buxheti është i pamjaftueshëm, por sepse punonjësit nuk e kuptojnë se si ta përdorin. Procesi është i thjeshtë: kompania përcakton një buxhet mujor për grupet e ndryshme të punonjësve; Wellness+ e krediton këtë shumë në llogarinë personale të secilit përdorues në aplikacion; punonjësi zgjedh qendrën ku dëshiron të shkojë dhe kryen pagesën përmes një kodi unik. Vlera zbritet në kohë reale, ndërsa kompania merr raportet e përdorimit dhe menaxhon pagesat përmes një strukture të centralizuar. Për Ymerajn, ky model pasqyron edhe një ndryshim më të gjerë në mënyrën se si kompanitë shqiptare po e konceptojnë mirëqenien. Ndryshimi nuk është i njëtrajtshëm, por kompanitë që konkurrojnë për talentet po e shohin gjithnjë e më shumë wellness-in si investim dhe jo thjesht si shpenzim social. Sfidë mbetet matja e këtij investimi. Pjesëmarrja, përdorimi real i shërbimeve dhe shpenzimi sipas ekipeve mund të maten çdo muaj. Kjo e zhvendos diskutimin nga “a kemi një benefit për punonjësit?” te “si po përdoret dhe çfarë vlere po krijon?”. Sjellja e përdoruesve tregon gjithashtu se afërsia dhe fleksibiliteti janë faktorë vendimtarë. Punonjësit priren të zgjedhin qendrat që i kanë më pranë dhe shërbimet që përshtaten me rutinën e tyre. Një person mund të përdorë fitnesin për disa muaj dhe më pas të kalojë te noti, SPA apo aktivitete në grup. Ky fleksibilitet e bën modelin të përshtatshëm edhe për SME-të. Kompanitë më të mëdha mund të kenë buxhete më të larta, por në një ekip të vogël rezultatet mund të shihen shpejt. Programi mund të nisë me një buxhet modest, të aplikohet fillimisht në një departament dhe më pas të zgjerohet. Teknologjia është komponenti që e bën të mundur këtë model. Wellness+ nuk funksionon vetëm si një kanal rezervimi, por lidhet me sistemin e menaxhimit të qendrave. Kjo mundëson regjistrimin automatik të transaksioneve, kontrollin në kohë reale të buxhetit dhe raportimin e saktë për kompanitë, pa procese manuale apo fatura të shpërndara nga ofrues të ndryshëm. Aktualisht programi i mirëqenies është i përqendruar kryesisht në Tiranë dhe disa zona të Durrësit, ndërsa platforma e menaxhimit ka shtrirje në katër shtete. Hapi i ardhshëm lidhet me zgjerimin në qytete të tjera, duke ndjekur një logjikë të thjeshtë: aty ku ekzistojnë punëdhënësit dhe rrjeti i qendrave, modeli mund të aktivizohet. Ambicia e Ymerajt për dy vitet e ardhshme është që një kompani me punonjës në qytete të ndryshme të mund t’u ofrojë të gjithëve të njëjtin program, pavarësisht vendndodhjes. Në këtë mënyrë, Wellness+ synon ta kthejë mirëqenien nga një benefit i fragmentuar në një sistem fleksibël, të matshëm dhe të shkallëzueshëm.